Rajoni

Emisarët ndërkombëtarë në Prishtinë, Lajçak: Prisnim më shumë mirëkuptim për propozimin e BE-së!

Pas takimit në Prishtinë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, i dërguari i posaçëm i Bashkimit Europian për Dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak tha se “delegacioni i emisarëve ndërkombëtarë priti për më shumë mirëkuptim rreth mundësive që ofron propozimi për normalizim të marrëdhënieve mes Prishtinës e Beogradit”.

Qëllimi i takimit ishte diskutimi i propozimit për normalizim, të cilin ia prezantuam Kurtit në shtator, si dhe më vonë në dhjetor 2022. Eshtë shumë herët për të bërë deklarata dramatike se siç e dini, “jemi në mesin e misionit tonë e do të vazhdojmë për në Beograd, kështu që nuk kam shumë çfarë të them”. Por, në këtë pikë ne kemi pritur që të kuptohen më mirë mundësitë që ofron ky propozim. Shpresoj të arrijmë te mirëkuptimi i plotë, si dhe shfrytëzimi i plotë i potencialit të këtij propozimi. Do të vazhdojmë të punojmë për këtë. Bashkimi Europian dhe SHBA-të janë të përkushtuara për arritjen e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë dhe këtë e dëshmon prania e emisarëve të SHBA-ve, Gjermanisë, Italisë e Francës në takim.

Në selinë e qeverisë së Kosovës u zhvillua takimi i Kurti me të dërguarit e BE-së e SHBA-ve, Mirosllav Lajçak e Gabriel Escobar, si dhe me ata të Francës, Gjermanisë e Italisë. Emisarët ndërkombëtarë ishin në Prishtinë për të nxitur intensifikimin e dialogut Kosovë-Serbisë e po sot shkojnë në Beograd, për të takuar presidentin Vuçiç. Vizitat synojnë të përgatisin terrenin për vazhdimin e dialogut të nivelit të lartë në Bruksel.

Pse po vizitojnë emisarët e huaj Kosovën dhe Serbinë?

2023-shi pritet të jetë viti i dinamizimit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, duke u synuar përmbyllja e këtij procesi. Sipas burimeve në Bruksel, gjatë ndalesave në Prishtinë e Beograd, fokusi kryesor do të jetë propozimi për një marrëveshje bazë e organizimin e takimeve në nivel të lartë në dialog, sa më shpejt të jetë e mundur. Qëllimi është të arrihet një marrëveshje për këtë propozim. Sa i përket një takimi të ri Kurti-Vuçiç, diplomatët në Bruksel nuk kanë përmendur ndonjë datë, por thanë se “po punohet që kjo të ndodhë sa më shpejt të jetë e mundur”, para fundit të muajit janar. Herën e fundit që u takuan për bisedime ishte 21 nëntori 2022.

Çfarë pritet?

Një ditë para vizitës së të dërguarve të posaçëm perëndimorë në Kosovë e Serbi, këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, tha se nuk pret zgjidhje, por theksoi se “është pikë e rëndësishme kthese” dhe se shpresohet që javët e ardhshme të shohin përparim të vërtetë.

Vizita zhvillohet në kohën kur Kosovës po i bëhet presion që të nisë punën për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. SHBA-të dhe BE-ja thonë që ky është detyrim i Prishtinës e presin që kjo të bëhet shpejt.

Chollet, i cili vizitoi Prishtinën dhe Beogradin më 11 e 12 janar tha se “Kosova duhet të përmbushë të gjitha zotimet në kuadër të dialogut, përfshirë  formimin e Asociacionit”.

Nga qeveria e Kosovës presim të vendosë disa propozime në tryezë.

Kryeministri Kurti ka shprehur qëndrimin se është kundër një asociacioni një-etnik. Por, kohët e fundit nuk ka përjashtuar mundësinë që Asociacioni të diskutohet në kuadër të marrëveshjes finale për normalizimin e raporteve.