Aktualitet

Pritshmëritë e KESH-it, importet për gjithë vitin 2022 mund të kushtojnë 550 milion euro!

Qeveria vendosi që të mos aplikojë fashën 800 kWh edhe për muajin nëntor duke ia atribuuar këtë çmimeve më të ulëta në tregje, kursimit të bërë nga familjet shqiptare e pritshmërisë për reshje në vijim. Aplikimi i kompanive tashmë është depozituar në ERE duke argumentuar këtë kërkesë për lënien në fuqi të çmimit aktual për familjarët prej 9.5 lekë/kWh pavarësisht sasisë së konsumit.

Në përmbledhjen e KESH-it u bë edhe një parashikim i përgjithshëm për pjesën e mbetur të vitit lidhur me nevojën për importe ku thuhet se për shtator-tetor u kursyen 100 milion euro në raport me parashikimin e bërë me herët. KESH është shprehur se nëse situata hidrike do të përmirësohet atëherë rezultati do të jetë edhe më pozitiv, por në çdo rast ka nënvizuar se fasha për çmimin 42 lekë/kWh mbi konsumin 800 kWh të lihet në fuqi për dhjetorin.

KESH ka bërë një përmbledhje të parashikimit të mëparshëm në aplikimin e datës 20 shtator 2022 dhe asaj të bërë në datë 1 nëntor 2022 ku rezulton se për tetorin parashikoheshin kosto importi mbi 80 milion euro dhe në fakt kanë rezultuar 50 milion euro. Për nëntorin pritshmëria e shtatorit ishte kostoja 120 milion euro, por me rishikimin kjo është ulur në 77 milion euro. Dhjetori nga ana tjetër ishte parashikuar 146 milion euro, por vlera e rishikuar është pak më shumë se gjysma apo 76 milion euro. Me këto shifra, importet deri në fund të vitit parashikohet të tejkalojnë shifrën 550 milion euro.

Kjo në kushtet kur deri në fund të tetorit importet faktike ishin rreth 400 milion euro ndërkohë që parashikimi për kostot e tetorit dhe nëntorit është rreth 150 milion euro me një çmim mestar importi prej 320 euro dhe 380 euro MWh për nëntor-dhjetor.

KESH ka nënvizuar se kostot për sigurimin e energjisë do të përballohen me pjesën e mbetur të mbështetjes që dha buxheti, ndërsa vlerëson se blerjet për nëntorin mbeten të mbuluara me likuiditet.  Bazuar në të dhënat e mësipërme nga ana e shoqërisë është kërkuar ndaj Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë vazhdimi i mbështetjes buxhetore për pjesën e mbetur të vlerës prej 20 miliardë lekësh të alokuara nëpërmjet Aktit Normativ nr 3.2022 për Buxhetin e Shtetit./Monitor