Sociale

Problem plehrat kimike, por subvencionimi i grurit po “josh” fermerët në Korçë

Skema e re e subvencionimit për fermerët që kultivojnë grurë duket se ka joshur fermerët në qarkun e Korçës dhe pritshmëritë janë që sipërfaqet e mbjella me grurë të jenë më të larta, krahasuar me vitet e mëparshme, kur sipërfaqet me drithëra po uleshin nga viti në vit.

Kjo pritshmëri bazohet edhe në numrin e aplikuesve, për të përfituar nga kjo skemë.

Skema është vlerësuar edhe nga vetë fermerët, të cilët e shohin ndihmën nga shteti si faktorin kryesor të mbijetesës së tyre. Por çmimet e larta te plehrave kimike dhe dëmet që shkaktohen nga kushtet atmosferike shikohen si problematika që nuk garantojnë një prodhim dhe fitim të mbarë.

Ndërkohë edhe fiksimi i çmimeve të ulëta të produkteve bujqësore nga administratorët e pikave të pakta të grumbullimit është një tjetër shqetësim i fermerëve të cilët nuk arrijnë as të nxjerrin shpenzimet me çmimet që u ofrohen për produktet bujqësore.

 

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca pohoi më herët se bujqësia po përballet me sfida të mëdha për shkak të rritjes së kostove.

Deklarata u bë në një fermë të një shoqërie të bashkimit bujqësor që prodhon grurë në më shumë se 90 hektarë, ku 15 fermerë prodhojnë secili në tokat e veta dhe e shesin produktin së bashku. Ky model është orientuar për zbatim nga Ministria e Bujqësisë në Skemën Kombëtare edhe për fermerë të tjerë, për t‘i fuqizuar ata.

“Jemi në periudhën e aplikimeve të Skemës Kombëtare. Ju keni përfituar nga skema e naftës vitin e kaluar, uroj të keni aplikuar përsëri dhe të keni orientuar edhe fermerët e tjerë për ta bërë këtë. Më vjen shumë mirë që të mund të vijmë në ndihmë sadopak me uljen e kostove të prodhimit të një kulture që tashmë është më e rëndësishme se kurrë. Ne jemi importues për një pjese te nevojave tona te grurit. Aktualisht nga Rusia nuk mund të importojmë më. Unë kam takuar përpunuesit e grurit në vend për të kuptuar a do të kemi problematika dhe ata më kanë siguruar se në rast problematikisht kanë çdo mundësi për t’u orientuar në tregje të reja. Kjo sigurisht është një mundësi për prodhuesit vendorë që të fokusohen te gruri, kështu që përpunuesit të mund të marrin grurin, elbin dhe misrin e prodhuar në vend, që tashmë vjen me një cilësi gjithnjë e më të mirë”, u shpreh Krifca.

Ministra Krifca tha se do të hartojë politika mbështetëse për fermerët në mënyrë që prodhimet bujqësore në shqiptare të konkurrojnë ato të rajonit në cilësi dhe çmim.