Aktualitet

Problematika në Shkodër nga shirat e fundit/Dëme masive në Bardhaj!

Reshjet intensive të orëve të fundit bënë që në qytetin e Shkodrës të krijoheshin problematika në disa rrugë. Pedonalja u shndërrua në lum të rrëmbyeshëm prej mospërballimit të shirave nga kanalizimet. Por, në orët e mëngjesit, situata iu rikthye normalitetit.

Po në Shkodër, banorë të fshatit Bardhaj në Njësinë Administrative Rrethina, i bëjnë thirrje shtetit të pastrojë kanalet. Ata thonë se gjithçka kanë në shtëpi iu dëmtua.

Ka ardhur stuhia, një metër e gjysmë ujë ka këtu, çfarë kishte brenda në shtëpi i dëmtoi: shembi avllinë, më mori makinën e spostoi 20 metra. 30 vite nuk ka pastruar shteti kanalet. Apeli im është të pastrojnë kanalet dhe të sjellin ndihma!

Dëmet janë të mëdha. U prish avllia, ka faj shteti që s’ka pastruar kanalet. Çfarë kishte brenda shtëpisë shkoi dëm. Dy makina janë dëmtuar. 30 familje u dëmtuan e ka ndodhur edhe dy tre herë të tjera, por jo kaq shumë. Reagime nuk ka pasur. Apeli jonë është që të na i punojnë këto kanale, të reagojnë, të mos qëndrojnë duarkryq, se kur janë votat vijnë.

Në lidhje me situatën e krijuar nga përmbytjet, prefektja e Shkodrës, Majlinda Angoni deklaroi:

Pushteti vendor ka marrë të gjitha masat për një kanal që duhej pastruar me kohë, por nuk e kanë cilësuar si të arsyeshme. E rëndësishme është që ky rast të mos përsëritet, pasi jemi në fillim të sezonit të reshjeve. Kjo është edhe një zonë, e cila ka problematikat e saj, pasi disa banorë ende nuk kanë marrë tapitë e shtëpisë.

Në zonën e Bleranit në Bardhaj, përmbytjet nuk kursyen tokat bujqësore e ngordhën disa kafshë. Gjithashtu, u raportuan rrëshqitje të dherave në akset rrugore Shkodër-Gur i Zi-Mjedë e Mjedë-Pukë.

Shirat shkaktuan probleme edhe në Shëngjin. Ujërat krijuan vështirësi për qarkullimin në rrugë, si dhe vërshuan në katet e para.

Vendi ynë vijon edhe sot nën ndikimin e kushteve atmosferike relativisht të paqëndrueshme. Fillimisht do të dominojnë alternime vranësirash e kthjellimesh. Gjithashtu, vranësirat pritet të shoqërohen me reshje shiu të herëpas’hershme. Temperaturat variojnë nga 16-31 gradë celcius.