Rajoni

Problemet politike në Mal të Zi, BE apel për zgjidhje me mjete kushtetuese!

Bashkimi Europian i ka bërë thirrje Malit të Zi që situatën aktuale politike në vend ta tejkalojë vetëm me mjete kushtetuese, në mënyrë që vendi kandidat të mund të vazhdojë rrugëtimin në procesin e integrimit europian.

Mali i Zi është një prej temave të diskutimit në takimin e Këshillit të Ministrave të Jashtëm të BE-së, që po zhvillohet në Bruksel. Për situatën atje raportojnë së bashku ministrja e Jashtme e Sllovenisë, Tanja Fajon dhe kryediplomati i Austrisë, Alexander Schallenberg.

Ata vizituan Malin e Zi në emër të Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Josep Borrell. Zyrtarët e Unionit thanë se këto vizita në Podgoricë ishin të suksesshme.

Udhëheqësve politikë në Mal të Zi u është dërguar mesazhi i qartë se situata e tanishme mund të zgjidhet vetëm me mjete ligjore, duke kërkuar edhe zgjedhjen e dy gjykatësve, në mënyrë që të funksionalizohet Gjykata Kushtetuese. Ky do të ishte një parakusht për zhvillimin e zgjedhjeve të lira e të rregullta në Mal të Zi.

Edhe ministri i Jashtëm i Kroacisë, Gordan Gërlliç Radman paralajmëroi se do të flasë për situatën në Mal të Zi, pasi edhe ai zhvilloi një vizitë, para disa ditësh.

Ftojmë Malin e Zi që ta kuptojë seriozisht mesazhin e BE-së për funksionimin e Gjykatës Kushtetuese e ligjin e diskutueshëm për presidentin. Ne kemi nevojë për Malin e Zi, na duhet një Mal i Zi i qëndrueshëm, i orientuar në mënyrë të qartë për nga vlerat europiane. Shpreh bindjen se vendi do të tejkalojë krizën politike dhe do të avancojë në rrugën e integrimit europian.

Në rajonin e Ballkanit Perëndimor, vendi fqinj është lider sa i përket procesit të negociatave të anëtarësimit në BE. Por, problemet e brendshme politike kanë ndikuar që ky proces të ngadalësohet. Madje, disa burime diplomatike në Bruksel tërhoqën vërejtjen se i gjithë procesi mund të ndalet nëse nuk sigurohet sundimi i ligjit e funksionalizmi i Gjykatës Kushtetuese.