Aktualitet Politikë

Procesi i riorganizimit, Asambleja e PS-së miraton aktet e vendimet!

Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste mbylli sot punimet, duke miratuar me konsensus ndryshimet në aktet rregullatore që mundësojnë nisjen e procesit të ri të riorganizimit. Në një prononcim për mediat pas përfundimit të mbledhjes,  Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Damian Gjiknuri shprehu bindjen se “stacioni i madh politik i PS-së që do të kurorëzohet me një sukses të madh elektoral, do të jenë zgjedhjet vendore të vitit të ardhshëm”. Para gazetarëve, Gjiknuri deklaroi:

Miratuam të gjitha aktet, disa vendime të domosdoshme për funksionimin e partisë dhe mbledhja u mbyll me sukses, ku nuk pati asnjë lloj kundërshtimi dhe u miratuan të gjitha aktet, siç ishin përgatitur nga Grupi i Punës. Këtë javë fillon procesi dhe zbritja në terren e komisionit, i cili do të merret me procesin e identifikimit të kandidatëve për kryetarë të Partisë Socialiste në 61 bashki.

Gjiknuri theksoi se ky do të jetë një proces i hapur për çdo anëtar partie që e ndjen të nevojshme të drejtojë Partinë Socialiste vendore dhe ku do të ketë platforma komunikimi dhe mbi të gjitha, paraqitje nga ana e tyre e gjithë vizionit të drejtimit të partisë në të gjitha nivelet vendore.

Ky do të jetë hapi i parë, ngritja e Sekretariatit Ekzekutiv prapë në nivel vendor, i cili do të përfundojë deri në periudhën e fund qershorit, fillim korrikut. Pra do të kemi të gjithë strukturën e re, qoftë politike, qoftë menaxheriale-administrative në të gjitha degët e Shqipërisë dhe më vonë, që është faza tjetër e programit politik të PS, do të jetë krijimi i strukturës së koordinatorëve elektoralë, ngritja e Platformës së Koordinimit Elektoral dhe ndërtimi i procesit për zgjedhjet e ardhshme vendore nga ana e strukturave të PS, por tashmë edhe me forca të shtuara që janë Koordinatorët Elektoralë. Pra pak a shumë këto janë vendimmarrjet e marra!