Aktualitet

Procesi i zgjerimit të Bashkimit Europian, delegacioni i PE-së në Tiranë më 23 – 26 maj!

Një delegacion i përbërë nga 7 anëtarë të Parlamentit Evropian do të vizitojë Tiranën nga data 23 deri më 26 maj, për të shprehur mbështetjen për avancimin e proçesit të zgjerimit të BE-së.

Anëtarët e Komisionit për Punët e Jashtme do të analizojnë progresin e deritanishëm të Shqipërisë dhe nevojën për reforma të mëtejshme për të ecur përpara drejt anëtarësimit në bllokun europian.

Sipas një njoftimi online të Parlamentit Europian, euro-deputetët pritet të rikonfirmojnë gatishmërinë e Shqipërisë për të nisur negociatat e anëtarësimit.

Gjithashtu, gjatë vizitës do të trajtohen çështjet e vëna në dukje në raport/rezolutën mbi Shqipërinë që Parlamenti Europian miratoi në seancën e 19 majit.

Në draftin në fjalë, që trajton progresin e Shqipërisë në rrugën e integrimit, Parlamenti Europian vlerëson se vendi ynë i ka plotësuar kushtet e nevojshme për të nisur zyrtarisht negociatat e anëtarësimit.

Delegacioni, i udhëhequr nga David McAllister do të takojë liderët politikë të vendit, përfaqësues të opozitës dhe shoqërisë civile.