Sociale

Prodhimi i grurit, Balla apel kompanive shqiptare: Fokusohuni tek blerja e grurit vendas

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka reaguar pas deklaratave të bujqëve, të cilët ankohen se nuk ka treg për grurin vendas.

Përmes një mesazhi në rrjetet sociale, Balla thekson se shumë shpejt do të takohen me kompanitë shqiptare për t’u kërkuar të mbështesin dhe grumbullojnë prodhimin e grurit vendas.

Sipas Ballës, sfida kryesore është garantimi i grumbullimit dhe shitjes tek fabrikat e miellit në vend të grurit.

“Këtë vit prodhimi i grurit është mjaft i mbarë në të gjithë vendin, madje më shumë se një vit më parë. Të gjithë e dimë se në vjeshtën e shkuar kur ky grurë u mboll çmimi i naftës për shkak të Luftës së Putinit ishte mjaft i lartë dhe qeveria bëri një përpjekje shumë të rëndësishme ashtu si edhe në vitin e kaluar për të ndihmuar me naftën falas një numër të konsiderueshëm bujqish.

Sfida prej 15 Qershorit mbetet garantimi i grumbullimit dhe shitjes tek fabrikat e miellit në vend të grurit vendas. Këtë javë do të takohemi me kompanitë shqiptare të cilat merren me importin e drithrave, për t’u kërkuar të mbështesin dhe grumbullojnë prodhimin tonë të grurit. Thirrja ndaj kompanive shqiptare të cilat importojnë grurë është që të fokusohen tek blerja e grurit vendas.”- tha Balla.