Bota

Programi atomik iranian, rinisin bisedimet e Iranit me ndërkombëtarët!

Në kryeqytetin austriak Vjenë sot rinisin bisedimet për rikthimin e marrëveshjes bërthamore të Iranit, pas raportimeve se ka mosmarrëveshje për çështje kyçe. Diskutimet që vijojnë prej muajit prill, janë pjesë e raundeve të fundit mes Republikës Islamike dhe 6 fuqive botërore.

Siç dihet, Shtetet e Bashkuara me Donald Trump-in në krye të Shtëpisë së Bardhë, u tërhoqën nga akordi në vitin 2018. Në atë marrëveshje të arritur në 2015-ën, Irani zotohej të frenonte programin bërthamor në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ndërkombëtare.

Negociatori rus, Mikhail Ulyanov njoftoi në Twitter për vazhdimin e bisedimeve në Vjenë.

Një marrëveshje për shpëtimin e marrëveshjes bërthamore mund të arrihet por ende nuk është finalizuar!

Krahas Republikës Islamike, pjesë e akordit vijojnë të jenë Rusia, Kina, Franca, Britania, Gjermania dhe Bashkimi Europian.

Shtetet e Bashkuara janë prezentë por nuk negociojnë direkt, pasi Teherani refuzon një takim ballë për ballë me Uashingtonin. Nga koha kur Trump tërhoqi Uashingtonin nga marrëveshja bërthamore, Irani rinisi pasurimin e uraniumit që besohet se mund ta çojë këtë shtet drejt zhvillimit të armëve bërthamore. Pasardhësi i Trump-it, presidenti Joe Biden ka shprehur vullnetin për t’iu ribashkuar marrëveshjes por kur të konfirmojnë se Teherani do të respektojë zotimet e tij.