Bota

Prokuroria norvegjeze: Breivik mbetet vrasës masiv ende i rrezikshëm

Një prokurore në Norvegji tha sot se një ekstremisti që vrau 77 njerëz në vitin 2011 mbetet ende “një njeri shumë i rrezikshëm” dhe për këtë arsye sipas prokures, nuk do të duhej të ndodhte lirimi i tij pas dhjetë vitesh burg siç e lejon ligji norvegjez.

Në ditën e fundit të seancës tre-ditore për lirim me kusht, prokurorja Hulda Karlsdottir tha në fjalën e saj përfundimtare se Anders Behring Breivik “nuk ka treguar ndonjë pendim të vërtetë në gjykatë”.

“Në këndvështrimin e qartë të prokurorisë, kërkesa e Breivik për lirim me kusht nuk duhet të miratohet,” tha prokurorja Karlsdottir.

Breivik shpalli pikëpamjet e tij ekstremiste dhe përshëndeti nazistët në ditën e hapjes së seancës, ndërsa pretendoi se kishte hequr dorë nga dhuna.

Ai përsëriti sërish të enjten, teksa iu dha fjala e fundit në mbyllje të seancës, se po përmbahej nga dhuna.

Avokati i tij Oystein Storrvik tha në fjalën përmbyllëse se Breivik duhet të lirohet për të provuar se ai është i reformuar dhe nuk është më një kërcënim për shoqërinë, dhe kjo nuk është e mundur të provohet ndërsa ai është në izolim total.

Një psikiatër që e ka vëzhguar atë që nga viti 2012 dëshmoi të mërkurën se Breivikut nuk mund t’i besohet.

Një zyrtar i burgut u tha gjyqtarëve se “ekziston një rrezik real” që, nëse lirohet, Breivik, do të kryente përsëri krime të rënda.

“Kjo çështje gjyqësore thjesht konfirmon se sa i rrezikshëm është ai,” tha për agjencinë AP, Lisbeth Kristine Royneland, e cila kryeson një grup avokatësh të familjeve të viktimave dhe të të mbijetuarve.

Megjithëse dënimi maksimal i burgut në Norvegji është 21 vjet, Breivik mund të mbahet më gjatë në bazë të një dispozite që lejon autoritetet t’i mbajnë kriminelët në burg për aq kohë sa ata konsiderohen si një kërcënim për shoqërinë.

Gjykata e rrethit Telemark prej tre gjyqtarësh pritet të vendosë për kërkesën e tij për lirim me kusht më së voni këtë muaj.