Rajoni

Propozimi francez për të shuar grindjet Sofje-Shkup, Bullgaria pret më shumë sqarime!

Ndërsa Franca ka përgatitur një propozim për zgjidhjen e grindjes mes Shkupit e Sofjes për çështje të karakterit historik, për Bullgarinë, ky i presidencës franceze të Bashkimit Europian është “hap në drejtimin e duhur”, por mbeten shumë çështje për t’u sqaruar para se t’i heqë veton Maqedonisë së Veriut. Këtë e deklaroi presidenti Rumen Radev, duke komentuar dokumentin e Parisit që Maqedonisë së Veriut e bashkë me të, Shqipërisë, t’i hapet rruga e bisedimeve me BE-në.

Presidenti i Bullgarisë, Radev shprehet se “kërkesa për përfshirjen e bullgarëve në kushtetutën e Republikës së Maqedonisë së Veriut, duhet të bëhet para fillimit të bisedimeve”. Jo më pak të rëndësishme, cilëson mekanizmat dhe kriteret matëse për atë që e quan “çrrënjosjen e politikës dhjetëvjeçare të çbullgarizimit, vjedhjen e falsifikimin e historisë bullgare, për rinovimin e përmendoreve të shkatërruara dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore bullgare”.

Nga kryeministri bullgar, Radev kërkon të ofrojë qëndrimin e Sofjes zyrtare, para se të parashtrojë një propozim të huaj, referuar atij francez.

Kabineti nuk arriti të përgatisë propozim bullgar, ndërsa tani parashtron atë francez. Kryeministri nuk mund të dorëzojë propozim të huaj, pa mendim të vetin. Ai nuk është rojtar, por kryeministër.

Sa i përket propozimit francez, jo zyrtarisht thuhet se parashikon që kërkesat e palës bullgare, të përfshihen në kornizën negociuese të Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimi Europian të jetë garantues për realizimin e tyre.

Kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski, pohoi se ende nuk e kanë marrë propozimin francez. Por, ai deklaroi se i vlerëson në maksimum përpjekjet e Francës, kryesuese e radhës së BE-së, si dhe të vetë presidentit Macron, për arritjen e zgjidhjes së pranueshme si për Shkupin, ashtu edhe Sofjen.

Ndërkohë, eurokomisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi përmendi mundësinë e gjetjes së zgjidhjes, duke kujtuar kompromisin që i dha fund ngërçit të hershëm të emrit mes Greqisë e Maqedonisë së Veriut.

Eshtë e rëndësishme të theksojmë se si Greqia, ashtu edhe Maqedonia e Veriut, arritën ta tejkalojnë problemin e ta zgjidhin me një marrëveshje të përbashkët. Presim që Bullgaria të bëjë përpjekje. Jam i bindur që bisedimet do të ofrojnë shumë ide mbi mënyrën si të ecim përpara së bashku.