Politikë

Protesta e 6 dhjetorit, Berisha mesazh nga Tik Tok: Rama ka gjithë pushtetet në duar, vodhën me Bitcon 2.2 mld euro

Ish kryeministri Sali Berisha ka ndarë një mesazh në profilin e tij në Tik Tok ku me anë të disa akuzave ndaj qeverisë shpjegon se përse i ka thirrur qytetarët në protestë. Berisha tha se Rama sot ka të gjitha pushtetet në duar dhe se me anë të Bitcon janë vjedhur 2.2 miliardë euro, një shifër kjo që Berisha e ka përmendur shpesh por asnjëherë nuk e ka vërtetuar.

Pavarësisht se policia e shtetit sot u shpreh se është pro protestave por brenda një vendi të caktuar, Berisha nuk tërhiqet nga ‘Bulevardi’ me justifikim se po mirëpret krerët e BE-së.

“Të dashur miqtë e mi të TikTok.

Me këtë mesazh dëshiroj t’ju sqaroj pse kemi thirrur protestën e datës 6 dhjetor!

Kjo protestë, ditën e Samitit Europian, u thirr me qëllimin më madhor, për t’u bërë të qartë miqve në Shqipëri se Edi Rama duke shpenzuar 10-ra milionë euro dhe duke angazhuar 10-ra kompani lobimi, ka paraqitur tek ju një realitet shqiptar që nuk ekziston.

E vërteta është se, sot Shqipëria është një vend në shpërbërje, nga e cila janë larguar në vitet qeverisëse të tij, më shumë qytetarë se në Siri, që po përjeton luftë civile.

Shqipëria është një vend i pasur, por shqiptarët janë sot banorët më të varfër.

Kjo jo se nuk ka burime, por se burimet e tyre natyrore, pasuritë e tyre, buxheti i tyre vidhen, vidhen dhe vetëm vidhen nga qeveria.

Edi Rama sot ka të gjithë pushtetet në duar. Kjo jo se ai i meritoi, por sepse ai ka vjedhur votën dhe nuk respekton vullnetin e lirë të qytetarëve.

Së fundmi, vjedhjet e Edi Ramës dhe klanit të tij kanë prekur edhe qytetarët tuaj.

Me Bitcoin janë vjedhur nga klani qeveritar mbi 2.2 miliardë euro.

Të gjitha këto janë vetëm disa elementë të hidhur të realitetit shqiptar.

Ndaj dhe ne, si parti që përmbysëm komunizmin dhe sollëm pluralizmin, zhvilluam vlerat europiane në këtë vend.

Antarësuam Shqipërinë në NATO, liberalizuam vizat dhe morëm rekomandimin për statusin e vendit kandidat.

Qëndrojmë besnikë në këto vlera dhe këto parime që ndajmë me kombet e vendeve tuaja.

Kështu që jemi sot në këtë protestë, pikërisht për të ngritur zërin tonë.

Se ne nuk jemi njerëz të varfër, por para së gjithash jemi të vjedhur.

Se ne nuk votojmë të lirë dhe kjo vret shpresën e shqiptarëve, i shndërron ata në “boat people”, ndaj dhe duam që zëri ynë të dëgjohet.”-tha Berisha.

Që në 5 dhjetor, ora 14:00, të gjitha rrugët rreth Bulevardit ‘Dëshmorët e Kombit’ dhe stadiumit ‘Air Albania’ do të jenë të bllokuara, si masë sigurie e marrë për mbarëvajtjen e ngjarjes historike që do të zhvillohet në Tiranë në 6 dhjetor, Samiti i BE-Ballkani Perëndimor. Në këto akse rrugore, brenda perimetrit të sigurisë do të ndalohet parkimi, qarkullimi i automjeteve dhe qytetarëve, ndërsa do të lejohet vetëm lëvizja e banorëve të zonës. 6 dhjetori nuk do të jetë pushim për administratën apo për shkollat/universitetet. Mësimi do të vijojë normalisht si te Shkolla ‘Kosova’, Liceu Artistik, si dhe universitete që janë brenda këtij perimetri. Drejtori i Policisë së Shtetit, Rebani Jaupi, me anë të një konference për mediat, sqaroi dje me detaje se si do të bëhet hyrja.

Kujtojmë se ish-Kryeministri Sali Berisha ka nënvizuar ditët e fundit se më 6 dhjetor, ditën kur të gjithë liderët e Ballkanit do të mblidhen në vendin tonë do të organizojë protestën e radhës, duke thënë se ky do të ishte një rast historik që qytetarët me anë të një proteste paqësore të ngrinin zërin e tyre kundër qeverisjes aktuale.