Aktualitet

Protesta e 6 dhjetorit kur mbahet samiti BE-Ballkani Perëndimor, Policia e Shtetit nuk i jep leje PD-së!

Policia e Shtetit nuk i jep leje Partisë Demokratike për protestën e 6 dhjetorit, datë kur zhvillohet samiti BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë. Në një letër dërguar selisë blu, kreu i Policisë Tiranë, Lorenc Panganika thekson se “tubimi brenda perimetrit të sigurisë pengon zhvillimin normal të samitit dhe përbën rrezik real për sigurinë kombëtare e atë publike”, ndaj nuk lejohet.

Të ndalohet zhvillimi i tubimit të kërkuar në datën 6 dhjetor 2022, ora 12:00 deri në orën 16:00, në vendin e përcaktuar në kërkesë.

Policia e Tiranës mbetet e angazhuar për të garantuar të drejtën e çdo qytetari për të marrë pjesë në tubime paqësore dhe mirëpret çdo njoftim të PD-së për zhvillimin e tubimit në një vend alternativ, jashtë perimetrit të sigurisë.

Po në letrën drejtuar PD-së, Drejtori i Policisë së Tiranës, sqaron edhe perimetrin e sigurisë, që sipas tij është vendosur në konsultim me strukturat e sigurisë së delegacioneve pjesëmarrëse në këtë samit.

Perimetri është si më poshtë: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” deri në Bulevardin “Bajram Curri” përfshi sheshin “Nënë Tereza”; Rruga “Gjergj Filipi” nga kryqëzimi me rrugën “Ibrahim Rugova” deri tek kryqëzimi me rrugën “Papa Gjon Pali II”; Rruga “Lek Dukagjini” në gjithë gjatësinë e saj; Rruga “Dervish Hima”, rruga “Sheh Ahmet Pazar”, rruga “Faik Konica”, rruga “Skerdilajd Llagami”; Rruga “Papa Gjon Pali II” në të gjithë gjatësinë e saj, rruga “Asim Zeneli”, rruga “Themistokli Germenji”, rruga “Mustafa Matohiti”, rruga “Jul Variboba”, rruga “Fatmir Haxhiu”; Rruga “Ismail Qemali”, nga rruga e “Elbasanit” deri në kryqëzimin me rrugën “Ibrahim Rugova”.

Pas vendimit të Policisë së Shtetit reagoi Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka, i cili tha se askush nuk mund të ndalë të drejtën për të protestuar.

Protesta është e drejtë demokratike e fituar që në Dhjetor të ’90-ës. Askush nuk mund të ndalë të drejtën për të protestuar. Askujt në Shqipëri ne nuk i marrim leje për të protestuar. Në bazë të ligjit njoftojmë, kaq është detyrimi ligjor.