Bota Sociale

Protesta e ambjentalistëve në Gjermani, policia “tërheq zvarrë” Greta Thunberg!

Janë përhapur me shpejtësi në internet pamjet e momentit kur aktivistja e njohur suedeze e klimës, Greta Thunberg, merret me forcë nga policia gjermane në Lützerath, ku mijëra vetë ishin mbledhur për të protestuar kundër shkatërrimit të këtij fshati dhe për ndalimin e nxjerrjes qymyrit në zonë.

20-vjeçarja ishte ulur buzë një muri me pamje nga miniera, duke shkaktuar shqetësimin e efektivëve të cilët e urdhëruan të largohej për sigurinë e saj.

Ajo nuk pranoi dhe policët e morën nga krahët dhe e tërhoqën zvarrë për një distancë të shkurtër. Videot e shpërndara në rrjetet sociale tregojnë momentin kur dy policët e marrin Gretën, që nuk pranon të largohet.

Thunberg e akuzoi Gjermaninë, se “është një nga mëkataret më të mëdha të klimës në botë” dhe bëri thirrje për vazhdimin e rezistencës.

Që të premten ajo kishte bërë apel në Lützerath kundër prishjes së fshatit dhe nxjerrjes së qymyrit nga koncerni energjitik, RWE.

“Nëse qeveritë dhe koncernet shkatërrojnë mjedisin, (…) njerëzit do të mbrohen”, ka thënë aktivistja.

Protesta e aktivistëve të klimës filloi paqësisht, por më vonë sipas të dhënave të policisë, u hodhën mjete piroteknike. Më pas pati përplasje dhe disa aktivistë arritën të thyenin kordonin policor dhe të hynin në zonën ku nxirret qymyri, Garzweiler II.

Ministri gjerman i Ekonomisë, Robert Habeck, kishte bërë të ditur para disa ditësh se qymyri në Lützerath nevojitet për sigurinë energjitike në këto kohë krize.