Aktualitet Politikë

Protesta e opozitës më 6 dhjetor, Meta: Çështje Kushtetute, jo sigurie!

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta la të kuptohet se protesta e opozitës do të zhvillohet para Kryeministrisë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, më 6 dhjetor, ditën kur në Tiranë zhvillohet samiti BE-Ballkani Perëndimor. Por, ndërsa policia nuk ka dhënë leje, Meta u pyet nga gazetarët lidhur me këtë fakt e deklaroi:

Nuk është çështje sigurie, është çështje Kushtetute. Jemi për Shqipërinë europiane, jo regjim policor. Në datën 6, përballë përgjegjësit për kapjen e shtetit dhe minimin e gjithë procesit të integrimit europian të Shqipërisë për vite të tëra. Sigurinë e Europës e kërcënon vetëm mafia që përdor shtetin për ta kthyer Shqipërinë në një bazë logjistike ndërkombëtare për të gjitha llojet e trafiqeve, me në krye kokainën.

Komentet i bëri pas një takimi të zhvilluar në selinë blu me kryetarin demokrat Sali Berisha.

Më 25 nëntor, Policia e Shtetit nuk i dha leje Partisë Demokratike për protestën e datës 6 dhjetor. Në një letër dërguar selisë blu, kreu i Policisë Tiranë, Lorenc Panganika theksonte se “tubimi brenda perimetrit të sigurisë pengon zhvillimin normal të samitit dhe gjithashtu përbën rrezik real për sigurinë kombëtare e atë publike”, ndaj nuk lejohet.

Të ndalohet zhvillimi i tubimit të kërkuar në datën 6 dhjetor 2022, ora 12:00 deri në orën 16:00, në vendin e përcaktuar në kërkesë. Policia e Tiranës mbetet e angazhuar për të garantuar të drejtën e çdo qytetari për të marrë pjesë në tubime paqësore dhe mirëpret çdo njoftim të PD-së për zhvillimin e tubimit në një vend alternativ, jashtë perimetrit të sigurisë.

Më herët sot, qeveria shqiptare vendosi që 6 dhjetori, dita kur në Tiranë të zhvillohet samiti Bashkimi Europian-Ballkani Perëndimor, të jetë pushim zyrtar. Pra, administrata, të tjera institucione, shkollat, kopshtet, çerdhet do të qëndrojnë mbyllur të martën e javës së ardhshme. Vendimi lidhet me arsye sigurie, pasi më 6 dhjetor në kryeqytetin tonë do të jenë liderët e Bashkimit Europian.