Aktualitet

Protesta e pedagogëve, përplasje Rama-Meta për kreun e sindikatës!

Kryeministri Edi Rama ka theksuar edhe njëherë se kërkesat e pedagogëve të cilët kanë bojkotuar mësimin nuk do të merren seriozisht në këtë kohë lufte.

Në një reagim në rrjetin social “Twitter”, Rama i drejtohet kreut të Sindikatës së Pedagogëve, Aleksandër Kovaçit duke thënë se është krenar që ka qenë pjesë e SHIK, dhe “zullumi i ‘non gratave’ dhe rublave është futur në hapësirën universitare”

Rama thotë se kërkesat ‘fyese’ të kreut të sindikatës nuk mund të merren seriozisht në këtë kohë lufte.

 “Krenar që ka qenë shiks i kohës së zezë të 97-ës le të jetë sa të dojë, po një shiks i maskuar si sindikalist për të importuar zullumin e nongratave e të rublave në hapësirën universitare, s’ka asnjë shans të merret seriozisht në kërkesat e tij fyese për këtë situatë lufte!”- ishte reagimi i Ramës në Twitter.

Kreu i Partisë së Lirisë i është përgjigjur Kryeministrit Rama!

Zëri i pedagogëve duhet dëgjuar me shumë përulësi. Kërkesat e tyre për paga dinjitoze sa të kolegëve në Kosovë janë të drejta dhe plotësisht të realizueshme. Arroganca dhe shurdhëria e Qeverisë është e papranueshme. Dëgjoni krahasimin e sjellë me dhembje nga Prof.Asc.Dr. i Shkencave të Matematikës i specializuar në Universitetet më të mira të botës, ish-Ambasadorin e shkëlqyer të Shqipërisë në Slloveni, Sandër Kovaçi për të kuptuar revoltën e pedagogëve në mbarë vendin. Solidaritet dhe mbështetje për të dhe të gjithë pedagogët në protestë deri në plotësimin e kërkesave! Mjaft denigrimit neokomunist të individëve për të mbuluar faktet që ulërasin fort për gjendjen e mjeruar të universiteteve, shkruan Meta.