Aktualitet

Protesta e pedagogëve, Rama: Nuk ka rritje pagash deri pas daljes së dimrit!

Ndërsa pedagogët protestojnë duke kërkuar plotësimin e 9 kërkesave, përfshirë rritjen e pagave, kryeministri Rama thekson se “asnjë Veting as do bëhet, as është thënë e as është e menduar!”. Sot në një postim në Twitter, shefi i qeverisë shkruan:

Mediat e angazhuara masivisht për ta paraqitur si masive protestën e një pakice pedagogësh, nën udhëheqjen e nongratave e të SHIK-save të tyre, flasin për gjoja një veting që do bëka regjimi imagjinar për pedagogët! Asnjë veting as do bëhet, as është thënë e as është e menduar.

Sa për rritjen e mëtejshme të pagave e përsëris, nuk do të ndodhë deri kur të vijë radha e natyrshme, pas pensionistëve në fundvit dhe pas daljes së dimrit, kur do të bëjmë bilancet e kostove të mburojës së energjisë elektrike, edhe për familjet e pedagogëve që mbrohen nga qeveria.

Për sot, Sindikata e Pedagogëve njofton bojkot total të mësimit. Gjithashtu në orën 11:00 do të zhvillohet protestë kombëtare, para Korpusit Qendror të Universitetit Politeknik, siç thekson, jo vetëm për pagat, por për të 9 pikat e platformës, ku kërkimi shkencor veçohet si më kryesor. Pedagogët shprehen se nuk mjafton rritja 7% e pagave nga Buxheti i Shtetit dhe 8% nga vetë universiteti.

Ftojmë edhe studentët që të japin mbështetje me prezencën e tyre. Le të jemi nesër të gjithë bashkë në këtë hapësirë akademike. Vetëm qëndresa dhe uniteti ynë i përbashkët, i shoqëruar me argumentet e pakundërshtueshme të Peticionit tonë, do të bëjnë të mundur arritjen e qëllimit që i kemi vënë vetes.

Më herët, kryeministri Rama tha se kërkesat e pedagogëve të cilët kanë bojkotuar mësimin nuk do të merren seriozisht në këtë kohë lufte. Referuar kreut të Sindikatës së Pedagogëve, Aleksandër Kovaçi, u shpreh se “është krenar që ka qenë pjesë e SHIK-ut” dhe “zullumi i ‘non gratave’ e rublave është futur në hapësirën universitare”.