Bota

Protesta kundër masave anti-COVID në Holandë, raportohen të plagosur!

Masat e reja të izolimit kundër pandemisë koronavirus kanë nxitur protesta të dhunshme në Holandë. Në Roterdam, protestues të zemëruar u përplasën me policinë dhe disa prej tyre u plagosën gjatë trazirave. Manifestuesit hodhën gurë e të tjera mjete të forta, si dhe i vunë flakën makinave të policisë. Javën e kaluar, Holanda vendosi bllokim të pjesshëm tre-javor për të parandaluar përhapjen e COVID-19 pasi kohët e fundit po njeh vetëm rritje të rasteve të reja me koronavirus. Gjatë protestave të dhunshme u lënduan 7 persona dhe të paktën 20, u arrestuan.

Një zëdhënës i policisë holandeze i tha agjencisë Reuters se policia ishte e detyruar të vepronte përmes të shtënave paralajmëruese, pasi “situata përbënte kërcënim për jetën”. Në Roterdam u shpall gjendja e jashtëzakonshme dhe stacioni kryesor i trenit u mbyll.  Holanda vendosi kufizime të reja pasi regjistroi numrin më të lartë të rasteve me COVID-19 që nga fillimi i pandemisë. Masa përfshin mbylljen e restoranteve e të dyqaneve më herët, ndërsa aktivitetet sportive duhet të zhvillohen pa praninë e publikut. Edhe në Hagë pati protesta të dhunshme.

Me shifra alarmante sa i përket infektimeve me koronavirus përballet edhe Gjermania, ku Bundestagu mori vendim për të miratuar masat e reja anti-COVID e shpalli gjendjen e emergjencës. Zyrtarët e shëndetësisë iu kërkojnë banorëve të shmangin në maksimum daljet e kontaktet jothelbësore. Shkak është vala e katërt e pandemisë që ka goditur vendin. Qytetarëve iu kërkohet të qëndrojnë në shtëpi e spitalet janë të ngarkuara në shumë rajone gjermane. Madje, Italia ofron kujdes intensiv për pacientë nga Gjermania. Nivelet në rritje të vaksinimit kundër koronavirusit cilësohen të pamjaftueshme, për të frenuar pandeminë.

Po në Europë, në Francë rekomandohet vaksinim përforcues për moshat nga 40-vjeç. Imunizimi i plotë cilësohet i dobishëm në këto kushte. Prej disa kohësh, në këtë vend, njerëzit mbi 65-vjeç kanë mundur të përfitojnë nga një vaksinim përforcues dhe rreth 30% e kanë marrë tashmë një të tillë.