Bota

Protesta në Minneapolis, vritet një i ri me ngjyrë

Sërish protesta në Amerikë, shkak vrasja nga policia e një 20-vjeçari me ngjyrë në Minneapolis. Viktimë mbeti i riu afroamerikan Daunte Wright ndërsa ngjarja ndodh rreth një vit nga vdekja e George Floyd-it, në të njëjtin qytet e nga një oficer policie i bardhë.

Sipas njoftimit zyrtar të Departamentit të Policisë, Wright u ndalua për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor dhe më pas u zbulua se ndaj tij kishte urdhër-arresti. Kur tentuan ta arrestonin, 20-vjeçari hyri përsëri në automjetin që drejtonte dhe u largua. Policët u vunë në ndjekje e pasi kaluan disa blloqe, një oficer e qëlloi të riun, makina e të cilit u përplas më pas me një tjetër. Wright humbi jetën në vendngjarje.

Guvernatori i shtetit Minnesota, Tim Walz tha se po ndjek nga afër situatën dhe po lutet për familjen Wright.

Orët e fundit, policia amerikane përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë qindra njerëz të mbledhur para stacionit policor të Brooklyn Center-it, në veriperëndim të Minneapolis-it. Protestuesit hodhën gurë në drejtim të dy automjeteve të agjentëve.

Tashmë Minneapolis-i rikthehet në qendër të vëmendjes pasi në të njëjtin vend ndodhi vdekja e George Floyd-it. Një oficer policie, i cili po e arrestonte i vendosi këmbën në qafë e për rreth 9 minuta i bllokoi frymëmarrjen 46-vjeçarit që u detyrua të qëndronte i shtrirë në tokë ndërsa i përgjërohej për ta lënë. Floyd ndërroi jetë majin e kaluar dhe ngjarja nxiti protesta të dhunshme në të gjithë Amerikën.

Gjithashtu, lindi lëvizja sociale Black Lives Matter, për të protestuar kundër brutalitetit policor e dhunës me motive raciste ndaj njerëzve me ngjyrë. Ndërkohë, në Minneapolis vijon gjyqi ndaj ish-oficerit të policisë Derek Chauvin me akuzat: vrasje të shkallës së dytë e të tretë, si dhe të paqëllimshme.