Aktualitet

Protesta shtrihet në rrugët e kryeqytetit, thirrje për grumbullim sërish nesër në orën 17:00!

Pas protestës para Kryeministrisë, Unaza e kryeqytetit dhe Rruga e Shallvareve vijon të jetë e bllokuar nga qytetarët, të cilët e kanë zhvendosur në rrugë tubimin e tyre. Ata i kanë bërë thirrje shoferëve, që të bashkohen me protestën e tyre që në fokus ka uljen e çmimit të naftës dhe produkteve bazë.

Protestuesit kanë paralajmëruar se do të mblidhen çdo ditë derisa situata të normalizohet. Ata kanë lajmëruar një tjetër protestë masive të shtunën në orën 11:00, që ka si qëllim uljen e çmimeve që sipas tyre e ka bërë jetesën e pa përballueshme.

Ndërkohë gjatë kësaj proteste ka pasur edhe qytetarë të cilët kanë kërkuar të lejohen të kalojnë pasi disa makina janë bllokuar.

“Lejoni disa makina dhe protestoni sërish”, u shpreh qytetari i cili po priste në makinë për të kaluar pasi ishte bllokuar.

Nga ana tjetër një protestues u shpreh se kjo është një protestë e të gjithë qytetarëve dhe se nuk mund të mbrohet një kauzë duke qëndruar në makinë.

Një autoambulancë është shfaqur pranë rrugës ku qytetarët kanë nisur bllokimin. Ajo është lënë e lirë nga qytetarët e pranishëm, ndërsa për makinat e tjera të përfshira, lëvizja po kryhet me ritme shumë të ngadalta.