Bota

Protesta të dhunshme në Kinë shkaku i planit për mbylljen e një xhamie

Shkaku i një plani për ta prishur kupolën e një xhamie në një qytet të banuar me shumicë myslimane në Kinë, në Yynnan, protestuesit janë përleshur me një numër të madh të policëve.

Videot e publikuara në rrjete sociale tregojnë turma njerëzish të grumbulluar jashtë xhamisë Najiaying, të ndërtuar në shekullin e 13-të, në qytetin Nagu më 29 maj.

Përleshjet shpërthyen mes policisë dhe banorëve vendas, të cilët u rrethuan nga qindra policë të armatosur.

Yunnan, një provincë e larmishme etnike në Kinën jugore, ka një popullsi të konsiderueshme myslimane.

Kina është zyrtarisht shtet ateist dhe qeveria thotë se lejon lirinë fetare. Por, vëzhguesit thonë se ka pasur një presion në rritje ndaj organizimeve fetare gjatë viteve të fundit.

Në Nagu, Xhamia Najiaying kishte qenë një pikë referimi kyçe dhe gjatë viteve të fundit ishte zgjeruar me një çati të re me kupolë, si dhe një numër minaresh.

Sidoqoftë, një vendim i një gjykate i vitit 2020 konstatoi se këto zgjerime ishin të paligjshme dhe urdhëroi që ato të hiqen. Tentimet e policisë për ta zbatuar këtë urdhër duket se i kanë nxitur protestat.

Në videot e protestave të 29 majit, të verifikuara nga transmetuesi publik britanik, BBC, shihej një numër i madh i policëve që bllokonin hyrjen në xhami, ndërsa një grup burrash përpiqej të hynte me forcë duke hedhur gurë mbi policinë.

Në video të tjera shihej se policia më vonë u tërhoq, ndërsa turma hyri në xhaminë Najiaying.

Protestat në Kinë janë relativisht të rralla, por ato janë zhvilluar më shumë që nga fillimi i pandemisë COVID-19 pasi që kufizimet e shumta në lëvizje shkaktuan shfaqje të zemërimit publik.