Bota

Protestat në Iran, gjyq publik për 1 mijë persona/Disa rrezikojnë dënim me vdekje!

Autoritetet iraniane thanë sot se do të zhvillojnë gjyq publik për 1 mijë vetë në Teheran, pas protestave që janë zhvilluar në këtë shtet prej disa javësh. Paditë masive shënojnë veprimin e parë të madh qeveritar me qëllim shtypjen e protestave, të nisura pas vdekjes së 22-vjeçares Mahsa Amini e ndalur nga Policia e Moralit, me dyshimet se nuk e ka vendosur si duhet hixhabin.

Agjencia shtetërore e lajmeve, IRNA, citoi zyrtarë të gjyqësorit që thanë se mijëra njerëz me rol qendror në protesta do të dalin në gjyq në Teheran për shkak të sulmeve ndaj gardës së sigurisë, djegie të pronës publike dhe shkelje të tjera. Ndonëse, fillimisht protestat u fokusuan te kundërshtimi i detyrimit për vendosjen e shamisë në kokë, shumë shpejt ato janë kthyer në një prej sfidave më të mëdha për klerikët fetarë prej kohës së Revolucionit Islamik të vitit 1979. Shefi i gjyqësorit, Gholam-Hossein Mohseni Ejei:

Ata që synojnë të përballen me regjimin, janë të varur nga të huajt dhe do të ndëshkohen sipas standardeve ligjore.

Po jepen shenja se disa protestues do të akuzohen për bashkëpunim me qeveritë e huaja. Disa herë, zyrtarët në Teheran kanë pretenduar se armiqtë e Iranit janë mbrapa protestave, por pa ofruar prova.

Pa asnjë dyshim, gjyqtarët tanë do të përballen me këto raste të trazirave, me saktësi dhe shpejtësi.

Sipas grupeve për të drejtave të njeriut, të paktën 270 persona janë vrarë dhe mbi 14 mijë u arrestuan në Republikën Islamike prej kohës së shpërthimit të protestave.

Autoritetet e drejtësisë ngritën akuza kundër qindra personave edhe në të tjera provinca iraniane. Disa janë akuzuar për “korrupsion në tokë” dhe “luftë kundër Zotit”, akuza që janë të ndëshkueshme me dënim me vdekje. Ndërkombëtarët shprehen të shqetësuar për atë që po ndodh në Iran dhe OKB-ja kërkoi që policia të shmangë përdorimin joproporcional të dhunës.