Aktualitet

Protestë e banorëve të Porto Romanos kundër fabrikës së gazit ku dje pati një shpërthim!

Një ditë pas shpërthimit aksidental të disa bombolave duke shkaktuar zjarr në fabrikën e gazit në Porto Romano të Durrësit, banorë të zonës protestuan sot, të shqetësuar për sigurinë e jetës dhe të ardhmen e fëmijëve. Protesta u organizua me moton: “O ne, o fabrika!”.

Sipas tyre, në fillim u tha se aty do të bëhej prodhimi e ambalazhimi i shampove, por tani është kthyer në rrezik të lartë. Burra dhe gra që dolën në protestë me fëmijët e tyre, kërkojnë nga shteti, nga autoritetet ligjzbatuese, të ndërhyjnë për zhvendosjen e fabrikës.
Banorët patën lajmëruar se protestës do t’i bashkoheshin edhe të tjerë që gjithashtu janë të punësuar atje, por pasiguria ekonomike për humbjen e vendit të punës i detyroi të mos përfshihen, duke mos ngritur zërin.

Dikur e destinuar si zonë industriale, në dekadat e fundit, territori ku ndodhet fabrika nisi të popullohet nga familjarë dhe u ngritën biznese. Vite më parë, po në këtë hapësirë gjendej një fabrikë lëkurësh që ndikonte në ndotjen masive të mjedisit. Të alarmuar, banorët e Porto Romanos treguan dje në media se “shpërthimet ishin shumë të fuqishme”.

Këto kanë shpërthyer shumë herë, tre herë brenda ditës. Ky është problem! Rrezikohesh se këtu ka helm, nga shpërthimi, djeg rrushin. Shpërtheu si dinamit dhe lajmëruam zjarrfikësit. Ishim të tmerruar, me fëmijë, me gruan, u larguam. Nuk ka siguri!

Ndodhën 2-3 shpërthime njëri pas tjetrit. U alarmuam e morëm fëmijët e gratë dhe u larguam. Këto ishin shumë të fuqishme. Lajmëruam policinë dhe erdhën. Janë të rrezikshme, nuk lejohen bombula gazi këtu. Se si fillim gënjyen se çfarë fabrike do të bënin dhe bënë fabrikë gazi.

Isha në gjumë, vetëm kur dëgjova shpërthim, herën e dytë dëgjova duke u tronditur krejt shtëpia. Kur dola në oborr, pashë re të mëdha gazi. Më pas, pashë tym të zi e punëtorët duke bërtitur. Isha i tmerruar dhe u larguam, morëm makinën e ikëm. Na u rrezikua banesa. Ka pasur shpërthime të vogla, vinte era e gazit.