Bota

Protestë e grave në Kabul kundër kufizimeve të talebanëve!

Me thirrjet: “Bukë, punë, liri!”, dhjetëra gra protestuan sot në kryeqytetin afgan, Kabul, kundër kufizimeve të ashpra ndaj të drejtave të tyre, të vendosura nga talebanët, të cilët në gusht të këtij viti shënojnë 1-vjetorin e rikthimit në pushtet në Afganistan.  Edhe pse premtuan ndryshim të qëndrimit, kjo nuk ka ndodhur deri tani e në të kundërtën po rivendosin shumë masa shtypëse kundrejt grave e vajzave. Në shumicën e qyteteve në Afganistan, vajzat mund të shkojnë në shkollë deri në klasën e gjashtë, ndërsa më mars, talebanët urdhëruan mbylljen e shkollave të mesme për vajzat.

“Edukimi është e drejta ime! Rihapni shkollat!”, – brohorisnin protestueset, shumica prej të cilave kishin vendosur shami, për të mbuluar të gjithë fytyrën. Ato u mblodhën para Ministrisë së Edukimit e marshuan disa qindra metra para se të përfundonin protestën e tyre. Siç raportoi AFP, autoritetet nxorrën në rrugë luftëtarët talebanë, duke bërë që manifestimi të mbyllej më shpejt nga sa parashikohej.

“Ne dëshironim të lexonim një deklaratë, por talebanët nuk na lejuan”, – tha Zholia Parsi, e cila doli që të protestonte. Më tej, shtoi:

Ata na morën telefonat celularë dhe po ashtu na ndaluan që të bënim fotografi e video të protestës sonë.

Pas tërheqjes nga Afganistani të trupave të koalicionit ndërkombëtar, të udhëhequr nga amerikanët, talebanët janë zotuar se do të sundojnë ndryshe nga regjimi brutal në vitet ‘90, kohë kur gratë u mbyllën në shtëpitë e tyre, argëtimi u ndalua në të gjithë vendin dhe u aplikuan ndëshkime të ashpra, përfshirë ekzekutime publike nga më barbaret.

Por këto premtime, gjithnjë e më shumë po shihen me skepticizëm nga shumë afganë e qeveri në mbarë botën, përfshirë ato në Azinë Qendrore. Kjo për faktin se gratë janë detyruar që të largohen nga disa punë në institucione qeveritare, si dhe nuk lejohen të udhëtojnë të vetme, të pashoqëruara nga një familjar mashkull.

Gjatë këtij muaji, lideri suprem i Afganistanit dhe shefi i talebanëve, Hibatullah Akhundzada, urdhëroi gratë që të mbulohen kur janë në publik, përfshirë pjesën e fytyrës.