Rajoni

Protestë kundër rinumërimit të votave në Republikën Sërpska!

Në Bosnjë, mbështetësit e koalicionit qeverisës në Republikën Sërpska, protestuan në Banja Lukë, duke kërkuar që institucionet zgjedhore t’i japin fund rinumërimit të votave për presidentin. Republika Sërpska është një prej tre entiteteve ku më herët këtë muaj u zhvilluan zgjedhje. Milorad Dodik, kreu de facto i serbëve të Bosnjës dhe president i Aleancës së Socialdemokratëve të Pavarur, partisë më të madhe në Republikën Sërpska, udhëhoqi protestën ku sipas policisë morën pjesë 30 mijë persona.

Protestuesit mbanin foto të Dodikut e valëvitën flamujt të partisë së tij, duke akuzuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve se po tenton të zhbëjë vullnetin e serbëve për ta zgjedhur Dodikun si lider të tyre. Para protestuesve, Dodik u zotua se do të luftojë për të drejtën e serbëve “për të zgjedhur si duan të jetojnë” dhe akuzoi politikanët perëndimorë e ata jo-serbë në Bosnje për “urrejtje” dhe se “po tentojnë të zhdukin Republikën Sërpska”.

Nuk heqim dorë nga liria jonë për të zgjedhur e për t’u zgjedhur. Unë besoj fuqishëm në idenë e një Republike Sërpska të pavarur.

Protesta nisi pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi të rinumërojë votat e zgjedhjeve të 2 tetorit. Në Republikën Sërpska, procesi ka të bëjë me votimet për president e zv.president.

Dodik garoi përballë Jelena Triviçit nga Partia Përparimtare Demokratike. Autoritetet nisën rinumërimin e votave pas shqetësimeve se integriteti i procesit u cënua dhe për shkak të dyshimeve për mashtrime zgjedhore. Prokurorë e drejtues të Policisë po mbikëqyrin rinumërimin e votave në Sarajevë. Dodik kërkon që ky proces të kryhet në Republikën Sërpska.

Pjesëtarët e opozitës mbajtën dy protesta në Republikën Sërpska, për të shprehur shqetësimet për mashtrime zgjedhore dhe kërkuan rinumërimin e votave. Po ashtu, po kërkojnë që disa persona të ndiqen penalisht, përfshirë Dodik, subjekt i sanksioneve perëndimore për shkak të aktiviteteve të tij për ndarjen e Republikës Sërpska nga Bosnja.