Aktualitet

Protestë në Krujë, pas helmimit nga uji të mbi 600 personave!

Dhjetëra qytetarë protestuan sot para Bashkisë Krujë për helmimin e mbi 600 personave nga uji i pijshëm, që përfunduan në spital me dhimbje barku e koke, si dhe temperaturë. Në mënyrë simbolike, në derën e institucionit varën bidonë bosh.

Sipas protestuesve, tubat dhe impianti i ujësjellësit janë nafte, të marra në Ballsh e në minierat e Bulqizës dhe më pas të montuara për ujësjellësin e qytetit.

I gjithë populli i Krujës e di shumë mirë se janë tuba nafte, të marrë në Ballsh. Shteti të marrë masa, ta verifikojnë. Janë tuba nafte të marrë lirë. Uji na ka ardhur me ngjyrë kafe. Tubat e vjetër i kanë lidhur me tubat e përdorur. Janë tuba të marrë edhe në Bulqizë, te miniera e kromit.

Po protestojmë për të drejtat tona, po na shkelin me këmbë. Dikush duhet të mbajë përgjegjësi! Kur na erdhi uji nga ujësjellësi i ri, ishte i ndotur. Jemi të shqetësuar për veten, për familjarët. Tani na vjen ujë me gëlqere, i papërdorshëm.

Jam 72-vjeç dhe deri më sot nuk kam dëgjuar ndonjëherë helmime në popull. Si ndodhi, ta gjejnë ata që dhanë fondet për ujësjellësin e ri!

Katër ditë pas regjistrimit të rasteve të helmimit, Instituti i Shëndetit Publik bëri të ditur se në ujë u gjet bakteri Enterokokus. Sipas përfaqësuesve të ISHP-së, ujësjellësi duhej të kishte reaguar më shpejt.

Epidemia u shkaktua si rezultat i ndotjes sipërfaqësore të shirave të rënë para disa ditësh, që sollën përzierje me ujërat e pijshëm të ujësjellësit të Krujës. Prokuroria nisi hetimet lidhur me ngjarjen, por ende nuk ka një përgjegjës. Ndërkohë furnizimi me ujë në Krujë ka rifilluar, jo për konsum, vetëm për arsye sanitare.