Rajoni

Protestues të shumtë në Zveçan, shpaloset një flamur i Serbisë!

Në Zveçan të veriut të Kosovës ka më shumë protestues se dje para godinës së komunës. Situata duket e qetë dhe në mesin e manifestuesve ka një numër të madh njerëzish nga institucionet që punojnë nën sistemin e Serbisë. Ish-kryetari i Kuvendit Komunal të Zveçanit, Sërgjan Millosavleviç përsëriti kërkesat që lidhen me tërheqjen e njësive speciale të policisë e të kryetarëve shqiptarë nga komunat me shumicë serbe në veri. KFOR-i ka ngritur tela me gjemba përreth objektit të komunës. Në Zveçan është shpalosur një flamur gjigant i Serbisë. Protesta ka edhe në Zubin Potok.

Britanikes “Guardian”, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i tha se dita e hënë ishte shumë e rëndë dhe se janë me fat që nuk pati asnjë jetë të humbur. Kurti iu referua përleshjeve të serbëve me ushtarët e KFOR-it në Zveçan, ndërsa serbët kundërshtojnë kryetarët e rinj shqiptarë në komunat e veriut ku përbëjnë shumicën, përfshirë Zveçanin.  Lidhur me dhunën në veri, Kurti fajëson ato që i quan “banda fashiste” të drejtuara nga Beogradi zyrtar.

Dhuna në Kosovë është dënuar nga NATO dhe faktori ndërkombëtar, ndërsa qeverisë së Kosovës, Shtetet e Bashkuara i kanë kërkuar të ndërmarrë hapa në uljen e tensioneve në veri. Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, tha se vendimi për të hyrë me forcat në ndërtesat komunale u mor “kundër këshillës” së ndërkombëtarëve, deklaratë që u quajt naive, e gabuar dhe lënduese nga Albin Kurti.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken i bëri thirrje si Kosovës ashtu edhe Serbisë, t’i kthehen dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian, për normalizimin e marrëdhënieve. Ai përsëriti se vendimi i qeverisë së Kosovës për të vendosur me forcë kryetarët e rinj në komunat me shumicë serbe në veri, i përshkallëzoi tensionet “në mënyrë të mprehtë e të panevojshme”. Në një deklaratë të publikuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit, thuhet:

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe qeveria e tij duhet të sigurojnë që kryetarët e zgjedhur t’i kryejnë detyrat e tyre kalimtare nga  vende alternative, jashtë ndërtesave komunale, si dhe t’i tërheqin forcat policore nga atje. Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç dhe qeveria serbe duhet që të ulin statusin e sigurisë së Forcave të Armatosura e t’u bëjnë thirrje serbëve të Kosovës, të ndalojnë sfidimin e KFOR-it e të përmbahen nga aktet e mëtejshme të dhunës.