Rajoni

Protestuesit në Zveçan nuk lejojnë kalimin e automjeteve të Policisë së Kosovës!

Vazhdon e tensionuar situata në veri të Kosovës. Në Zveçan, policia përdori spray për të shpërndarë protestuesit serbë që tentuan të hynin në godinën e komunës. Mes protestuesve ka edhe njerëz me maska. Ata i shpërfillën thirrjet e kryetarit të Listës Serbe, Goran Rakiç, për të lejuar kalimin e dy automjeteve të Policisë së Kosovës. Aty gjenden edhe pjesëtarë të KFOR-it, misionit paqeruajtës të NATO-s.

Që protestuesit serbë të tërhiqen nga ndërtesat e komunave në veri, Rakiç kishte dy kërkesa drejtuar përfaqësuesve të KFOR-it dhe ambasadorëve të huaj në Prishtinë:

Kërkesat tona janë që sherifët e paligjshëm, të shkojnë në shtëpi e të merren me të afërmit e tyre. Po ashtu, të gjitha njësitë speciale në ndërtesën e komunës e përreth saj, të tërhiqen në jug sepse ky nuk është stacion policie, kjo është komuna e Zveçanit.

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, tha se bashkësia ndërkombëtare është “thellësisht e shqetësuar” për situatën në veri të Kosovës. Pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, ai tha se me kryetaren e shtetit ndau shqetësimin për mundësinë e dhunës dhe nevojën për të shtensionuar situatën. Më herët gjatë ditës takoi drejtuesit shqiptarë të Zubin Potokut e Zveçanit. Në këtë takim mori pjesë dhe shefi i zyrës së Bashkimit Europian në Prishtinë, Tomas Szunyog.

Ne jemi thellësisht të shqetësuar. E përsëris, nuk është mister që qeveria amerikane dhe qeveritë e QUINT-it e kanë thënë se është e rëndësishme të shmangen rrethanat kur zyrtarët hyjnë me dhunë në ndërtesat publike. Ky vazhdon të jetë qëndrimi ynë, ndaj biseda jonë me kryetarët ishte mënyra si ata mund të përmbushin detyrat për t’iu shërbyer të gjithë qytetarëve.  Të mos hyjnë në ndërtesat publike përmes forcës.

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Europian, Viola von Cramon, u shpreh e shqetësuar nga situata në veri. Gjatë një konference për media në Prishtinë, tha se qeveria “duket se po rrezikon shumë me këto manovra në veri”.

Natyrisht, kryetarët e zgjedhur janë zgjedhur në mënyrë ligjore. Por, kjo nuk do të thotë se ata kanë legjitimitetin për të hyrë në këto objekte e të kenë akses me forcë. Askush nuk mund të drejtojë me një apo dy për qind të votave.

Eurodeputetja i bëri thirrje qeverisë së Kosovës ta pyesë veten “nëse kjo është qeverisje e mirë”, teksa shtoi se duhet të punohet në ndërtimin e besimit me komunitetin serb në veri.