Aktualitet

Protestuesit tentojnë të qëllojnë Roland Bejkon para fillimit të protestës!

Para selisë së Partisë Demokratike ende pa nisur protesta ka ndodhur incidenti i parë mes Roland Bejkos dhe disa simpatizantëve të ish-kryeministrit Sali Berisha. Kur mbështetës të Berishës i janë afruar dhe e kanë sharë, shtyrë dhe ofenduar, Bejko do të hynte tek porta anësore e PD. Ata e kanë ndaluar të hyjnë në seli sekretarin e PD-së.

Tensioni vijoi edhe në rrugë, ku një grup personash e kanë shtyrë dhe goditur Roland Bejkon. Bejko është larguar nga ambientet e PD-së dhe nuk ka mundur dot të hyjë për të qenë i pranishëm në mbledhjen e Kolegjit të Kryetarëve.

Bejko thekson se kemi që në 90-ën që luftojmë me këtë njeri, duke iu referuar Sali Berishës, dhe i cilësoi ngjarjet e sotme produkt të ish-kryeministrit.

 Unë kam qenë njeriu që e kam mbështetur Berishën në 97’ por ka një kohë që boll është boll. Erdha të futesha në seli nuk e dija që kisha kaq shumë njerëz u gjenda përballë këtij reagimi. I drejtohem vetëm Sali Berishës të mbajë njerëzit nën kontroll se këtë që më bënë mua e kanë bërë vetëm turma e enveristëve që na ka nxjerrë jashtë nga greva. Për ca luftuam ne atëherë, luftuam për demokraci. Jemi që 90 që luftojmë me këtë njeri dhe sot marrim këto sharje. Ky është produkt i Sali Berishës dhe paaftësia e menaxhimit të gjithë elitës së PD-së që e kanë lënë PD-në në këtë ditë.