Aktualitet Politikë

PS, e gatshme për zgjedhjet vendore 2023 në çdo datë!

Partia Socialiste nuk propozon datë fikse për zgjedhjet vendore të vitit të ardhshëm. Në vijim të konsultimeve me partitë, sot në Presidencë ishte Taulant Balla. Pas takimit, kryetari i grupit parlamentar socialist iu tha gazetarëve se “janë dakord me çdo datë që do të dekretohet nga kreu i shtetit”.

Nuk kemi qenë të prerë në një propozim tonin për këtë datë, sepse besojmë që presidenti duhet të marrë në konsideratë të gjitha propozimet. Ne jemi të gatshëm që të marrim pjesë në zgjedhje dhe t’i fitojmë ato në secilën datë.

Sa i përket faktit që Bajram Begaj priti edhe përfaqësues të PD-së nga grupi i kryetarit Berisha, Balla deklaroi:

Ajo që vërej me vlerësim është gatishmëria për të dëgjuar të gjithë aktorët politik që priten të marrin pjesë në zgjedhje. Nuk di se kë ka pritur Begaj, të gjithë respektojmë ligjin e në këtë këndvështrim, në Kuvendin e Shqipërisë kryetarë të grupeve parlamentarë janë Mediu, Doda e Alibeaj. Pastaj, nëse deputetë të caktuar kërkojnë takime me Presidentin e Republikës, mendoj se edhe ndonjë deputet socialist mund të kërkojë takim me të.

Po ashtu, Balla foli edhe për Reformën Territoriale, për të cilën opozita doli me dy variante. Sipas tij, asnjë palë nuk duhet t’i imponohet tjetrës, por puna të lihet në dorë të ekspertëve.

Më tej, shefi i grupit të PS-së nuk dha një përgjigje nëse ishte dakord apo kundër propozimit të mbërritur nga opozita për 94 bashki dhe nga 3 deri në 6 rajone.

Ndërkaq, lidhur me datën e zgjedhjeve vendore, presidenti Begaj do të njihet edhe me qëndrimin e Shpëtim Idrizit nga PDIU. Votimet lokale të vitit 2023 priten të mbahen në periudhën 14 prill-14 maj. Opozita është e përçarë. Berisha kërkon që ato të zhvillohen në afatin maksimal që e lejon ligji, ndërsa Enkelejd Alibeaj doli me kërkesën që gara për bashkitë të mbahet sa më shpejt.