Politikë

PS feston sot 31 vjetorin e themelimit, urimi i Ramës nga Fatos Nano te patronazhistët

Partia Socialiste feston sot 31 vjetorin e themelimit. Kryeministri Edi Rama ka nisur ditën me një mesazh urimi për të gjithë ata që i kanë dhënë dhe vijojnë t’i japin Partisë Socialiste. Rama përmend patronazhistët që patën rol të rëndësishëm në zgjedhjet e 25 prillit për të vijuar më pas me drejtuesit në territor, themeluesit dhe liderin Fatos Nano.

“MIRËMËNGJES… dhe me urimin për ditëlindjen e Partisë Socialiste, të gjithë atyre që i kanë dhënë dje dhe i japin sot PS, që nga patronazhisti më i thjeshtë, tek drejtuesit në territor e deri tek themeluesit e saj dhe lideri Fatos Nano, ju uroj të gjithëve ju një të diel të qetë. #31VJETPS”, shkruan Rama ndërsa postimin e shoqëron me një fotografi trëndafilash rozë, simboli i logos së PS.

Dita e sotme do të afrojë më shumë PS me LSI, kjo e fundit e ftuar në ditëlindjen e 31-të të selisë rozë. LSI do të dërgojë përfaqësuesit e saj Endrit Braimllarin dhe Erisa Xhixhon.

Festa e 31 vjetorit të themelimit të PS do mbahet sot në orën 19:00, ndërsa nuk dihet nëse një ftesë i ka shkuar edhe ish-themeluesit, presidentit në detyrë Ilir Metës.Krahas LSI, Partia Socialiste ka ftuar edhe PDIU-në, me të cilën kanë qenë më herët në aleancë.

31-vjetori i PS, Gjiknuri: Forca më transformuese në Shqipëri, premtojmë se do vijojmë përpjekjen që PS të jetë më e mira

Sekretari i Përgjithshëm i PS Damian Gjiknuri ka uruar të gjithë socialistët për 31-vjetorin e PS. Në urimin e tij në rrjete sociale, Gjiknuri shprehet se PS mbetet forca më demokratike e transformuese në Shqipëri.

“31VJETPS! Me urimin e përzemërt për çdo anëtar, mbështetës, drejtues e këdo që ka dhënë e vazhdon të japë një kontribut sado të vogël për Partisë Socialiste , duke dëshmuar se familja jonë politike mbetet forca më demokratike e transformuese në Shqipëri, dhe me premtimin se do vazhdojmë përpjekjen që PS të bëhet më e mirë, më e fortë për të gjithë, ju uroj një ditë të mbarë”, nënvizon Sekretari i Përgjithshëm i PS, Damian Gjiknuri.

Veliaj uron socialistët me fotografinë e Ramës: Gëzuar 31-vjetorin, PS forca që po transformon Shqipërinë dhe Tiranën

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka uruar të gjithë socialistët për 31-vjetorin e themelimit të PS. Përmes një postimi në rrjete sociale ku duket me kurriz kryeministri Edi Rama, Veliaj i cili është dhe drejtues politik i PS për qarkun e Tiranës, thekson se PS është forca që po transformon Shqipërinë dhe Tiranën.

“Gëzuar Ditëlindjen. Partia Socialiste, forca që po transformon Shqipërinë dhe Tiranën. Mirënjohje çdo socialisti të thjeshtë, që i jep energji dhe përkushtim, që punët të ecin përpara. #31VJETPS”, shkruan Veliaj.

31-vjetori i themelimit të PS, Balla: Mirënjohje themeluesve kurajozë, patronazhistëve dhe simpatizantëve

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla ka ndarë në rrjetet sociale një mesazh urimi në 31-vjetorin e krijimit të PS. Balla ka shprehur mirënjohjen e tij ndaj themeluesve kurajozë dhe të gjithë kontributorëve ndër vite, të cilët i dhanë Shqipërisë forcën politike më të madhe, më atdhetare, gjithmonë e hapur, gjithmonë progresiste e moderne, e cila promovon në Shqipëri vlerat më të mira social-demokrate europiane.

“Gëzuar Ditëlindjen e 31 të Partisë Socialiste. Mirënjohje themeluesve kurajozë, të gjithë kontributorëve ndër vite, të cilët i dhanë Shqipërisë forcën politike më të madhe, më atdhetare, gjithmonë e hapur, gjithmonë progresiste e moderne, e cila promovon në Shqipëri vlerat më të mira social-demokrate europiane. Mirënjohje anëtarëve, patronazhistëve, simpatizantëve dhe çdo votuesi në këtë ditëlindje të famijes sonë të madhe. GËZUAR!” – shkruan Balla.