Partia Socialiste mbledh sot në qytetin e Durrësit Asamblenë Kombëtare. Kryeministri Edi Rama tha se brenda 6 muajsh do të zgjidhet skuadra që do të zbresë zyrtarisht në fushatë elektorale dhe sqaroi se cilët kandidatë do të jenë në listën e hapur dhe cilët në listën e mbyllur.
“Nisim përballjen për mandatin e 4 të PS-së në pranverën e ardhshme. Për 6 muaj duhet të jetë gati skuadra të zbresë zyrtarisht në fushë, skuadra jonë e re përfaqësuese PS 2030 për Shqipërinë 2023 . Këtë herë në bazë të ligjit të ri zgjedhor pjesëtarët e përfaqësueses sonë do të jenë 187. 140 në listën e votimit për garën e hapur në popull dhe 47 në listën e mbyllur të partisë.
Është e udhës të ndaj me ju që sot që deputetët me më shumë se 1 mandat pa përjashtuar drejtuesit politik të qarqeve dhe unë të jenë në garë të hapur si të gjithë të tjerët.
Ndërsa në listën e mbyllur mund të jenë vetëm pak prej tyre që do kenë detyra specifike koordinuese si sekretari i përgjithshëm, apo drejtuesi i ri politik i diasporës. Pjesa kryesore e listës së mbyllur do jenë deputet me vetëm një mandat dhe të rinj e të reja,” tha Rama.
Më pas do të zhvillohet votimi për organet e reja drejtuese të PS, për Kryesinë dhe Sekretariatin e PS.
Do të jetë kryesocialisti Edi Rama ai që do të propozojë 24 emra, ndërkohë vetëm 12 anëtarë do të zgjidhen me votë nga Asambleja. 12 drejtuesit e rinj të qarqeve që do të jenë ekipi drejtues për zgjedhjet parlamentare do të jenë anëtarë ex-officio të Kryesisë së bashku me drejtuesit e sekretariatëve