Aktualitet Politikë

PS në diskutime me PD-në për Komisionin e Reformës Zgjedhore!

“Partia Socialiste është në diskutim me grupin parlamentar të Partisë Demokratike zyrtare, për të gjetur formulimet e sakta sa i përket objektit të mandatit të Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore”.

Në një prononcim për mediat, kryetari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla deklaroi:

Formulimi i objektit të punës është shumë i rëndësishëm sepse përcakton qartë vijueshmërinë dhe nuk dua të ketë ngecje përgjatë ecjesh të këtij komisioni. Ne duam të ruajmë të njëjtin përcaktim, sikurse e kemi pasur në komisionet e kaluara të reformës, që ka të bëjë me atë që është detyrimi i Shqipërisë, hartimi dhe më pas transpozimi në ligjin zgjedhor të të gjitha rekomandimeve që vijnë nga raportet e OSBE/ODIHR-it.

Balla u shpreh edhe për zgjatjen e mandatit të organeve të vetting-ut e siç tha, “nuk është çështje e karakterit politik”.

Sa i përket detyrimit të Kuvendit për të zgjatur mandatin e organeve të vetting-ut, kjo nuk është çështje e karakterit politik. Iniciativa për organet e vetting-ut nuk është e Partisë Socialiste, por domosdoshmëri për ta çuar përpara këtë proces. Vetëdija dhe përgjegjësia e secilit prej deputetëve që të jemi në sallën e Kuvendit dhe ta votojmë!

Për të gjitha çështjet e tjera do të ketë diskutime, konsultime, dialog në funksion të gjetjes së formulimit më të mirë e më të saktë sa i përket objektit të punës së Komisionit të Reformës Zgjedhore apo çështje të tjera.

I pyetur mbi kandidatët e përzgjedhur nga Komisioni i Rithemelimit të PD-së për zgjedhjet e pjesshme vendore, Balla tha se “non grata mbetet non grata dhe produktet që vijnë nga non grata-t, janë non grata”. Ky ishte qëndrimi personal dhe jo si kryetar grupi i Taulant Ballës për primaret e zhvilluara dje nga Sali Berisha, ku u zgjodhën 6 kandidatë për bashkitë e Durrësit, Shkodrës, Vorës, Dibrës, Lushnjes e Rrogozhinës në lokalet e pjesshme të 6 marsit.