Politikë

Pse e do Berisha PD-në? Kulluri: Ai flet për të ardhmen që nuk ekziston, nuk rindërtohet shtëpia me të njëjtat tulla

Aktivisti i Partisë Demokratike, Edvin Kulluri është i bindur se e djathta nuk ka të ardhme me Sali Berishën në krye.

Me metaforën se “shtëpia nuk rindërtohet me të njëjtat tulla të vjetra”, Kulluri, i ftuar në “Top Story”, thotë se Berisha përdor si retorikë “një të ardhme që nuk ekziston”.

“Nuk rindërtohet shtëpia me të njëjta tulla, me të njëjtat shufra hekuri. Kjo parti nuk ka të ardhme, sepse është ndërtuar keq. Çfarëdo retorike të përdorë Berisha për të ardhmen, është një e ardhme që nuk ekziston”.

Sipas aktivistit, shumica e Partisë Demokratike nuk e mbështet Berishën dhe për këtë jep disa argumente.

“Shumica e PD-së nuk janë mbështetës së Berishës. Minimumi janë 70 mijë anëtarë, me letra dalin 43 mijë votues, që nuk lëvizin asnjëherë, se kanë qenë po kaq, edhe kur u votua për Bashës, dhe për Berishën. Më shumë se 20-25 mijë njerëz nuk kanë votuar në tri proceset e fundit.

E dyta, Paloka tha që gjithë kupola e PD-së është përfshirë në manipulim masiv, në të gjitha nivelet”.

Sali Berisha është rikthyer në krye të Partisë Demokratike, ndërkohë që partia më e madhe opozitare në vend po përjeton krizën më të thellë në historinë e saj.

Brenda partisë janë tre grupime, njëri që mbështet Enkelejd Alibeajn, tjetri që mbështet Sali Berishën, ndërkohë që një pjesë e deputetëve mbajnë një qëndrim neutral mes dy palëve.