Lifestyle

Pse na pëlqen kaq shumë të bëjmë thashetheme?! Flasin ekspertët!

Ndonjëherë mund të pyesni veten se cila është e vërteta pas thashethemeve që mund të qarkullojnë rëndomë dhe pse ne interesohemi kaq shumë për dramën e krijuar. Thashethemet janë aq të përhapura sa Shoqata Psikologjike Amerikane ka përkufizimin e saj për to.

Sipas shpjegimeve të tyre, thashethemet përbëhen nga biseda personale ose komunikim informacioni që shpesh është i pabazuar dhe mund të jetë, ose jo, keqdashës. Thashethemet kanë implikime të mëdha për transmetimin dhe përforcimin e normave kulturore. Psikologu David Ludden thotë:

Ka disa njerëz që përpiqen t’i klasifikojnë thashethemet si diskutime negative ose kritike për njerëzit e tjerë, por në të vërtetë thashethemet janë thjesht shkëmbim i informacionit social me njëri-tjetrin.

Në një studim të botuar në revistën ‘Social and Psychological Personality Science’, studiuesit vendosën të zbulojnë se për çfarë bëjnë kryesisht thashetheme njerëzit. Ata zbuluan se në një grup prej 467 pjesëmarrësish, rreth tre të katërtat e thashethemeve ishin neutrale dhe mjaft të mërzitshme, sesa pozitive apo negative. Ludden shpjegon:

Ne jemi krijesa sociale dhe duhet të dimë se çfarë po ndodh në mjedisin social, kështu që thashethemet janë shumë të dobishme. Ne nuk kemi pse të takojmë dikë drejtpërdrejt për të pasur një ide se si janë, sepse njerëzit e tjerë na tregojnë për takimet e tyre me të.

Thashethemet mund t’ju ndihmojnë të pranoni me lehtësi marrëdhëniet shoqërore që ju vijnë. Mund të jetë gjithashtu një mënyrë për të ndërtuar marrëdhënie. Sipas profesorit të psikologjisë, Stephen Benning, thashethemet janë veçanërisht tërheqëse për njerëzit që duan të lidhen me të tjerët.

Shkëmbimi i thashethemeve mund t’i lidhë njerëzit në shoqëri. Shpërndarja e informacioneve që dëmtojnë ose denigrojnë personin për të cilin flitet, është gjithashtu një formë agresioni, sepse sulmon pozicionin shoqëror të njerëzve dhe pozicionin e tyre në shoqëri.

Njerëzit mund të përfshihen në këtë lloje thashethemesh për të rritur statusin e tyre social ose për t’u përfshirë në një rrjet social në të cilin nuk kanë qenë më parë. Një studim i publikuar në revistën ‘Frontiers in Psychology’, konfirmon se shumë thashetheme të këqija bëhen në një përpjekje për ta bërë dikë të ndihet më mirë se personi për të cilin po flasin, dhe kjo nuk është një qasje e shëndetshme për të ndërtuar një ndjenjë të vetëvlerësimit.

Nga ana tjetët, duke bërë thashetheme për të famshmit, ne krijojmë marrëdhënie para-sociale ose marrëdhënie imagjinare me ta. Ashtu si vetë thashethemet, këto marrëdhënie mund të jenë të shëndetshme ose jo të shëndetshme, në varësi të rrethanave. Por nëse ato marrëdhënie dominojnë jetën tuaj, për shembull, nëse jeni aq i interesuar në një personazh të famshëm ose një marrëdhënie me një personazh të famshëm sa nuk po ndërtoni marrëdhënie reale shoqërore me njerëzit përreth jush, atëherë kjo është një gjë e keqe. Ekspertët shpjegojnë:

Fokusimi në thashethemet e të famshmëve mund të jetë një mënyrë për të mpirë ndjenjat e pakënaqësisë ose stresit. Duke bërë thashetheme për të famshmit, ne distancohemi nga problemet tona, kështu që në fakt pushojmë nga ndjenjat e vështira.