Sociale

Pse ndodhin aksidentet? blutë zbulojnë shkakun fatal

Ndonëse Policia Rrugore këtë periudhë është fokusuar te parandalimi i aksidenteve, në vendin tonë këto të fundit janë të përditshme. Mosrespektimi i rregullave të qarkullimit është shkaku parësor i përplasjeve, shpesh fatale për jetën, si në rastin e sotëm në Vlorë ku viktima mbetën 4 anëtarë të një familjeje, mes tyre dhe dy fëmijë, fare të pafajshëm.

Edhe sot, blutë fajësojnë shpejtësinë e lartë të një prej automjeteve që shkaktoi aksidentin.

Policia Rrugore këtë periudhë vere ku makinat shtohen shumë në rrugë edhe si rrjedhojë e fluksit të emigrantëve apo turistëve, apelojnë që të ecet me kujdes. “Vini rripin e sigurimit, largoni telefonin dhe kurrësesi mos konsumoni pije alkoolike”.

Sa i takon rrugëve me frekuencë më të madhe aksidentesh nga statistikat rezulton se janë ato urbane ndërsa në autostrada ndodhin më pak aksidente.

Me të prekurit nga aksidentet janë drejtuesit e mjeteve dhe pasagjerët ndërsa pas nuk mbeten as këmbësorët që renditen të dytët dhe përdoruesit e motorëve dhe biçikletave. Por sa i kushtojnë aksidentet në një vit Shqipërisë.

Sipas një përllogaritjeje statistikore zyrtare, gjatë vitit 2019, kostoja sociale e aksidenteve është 105 milionë euro ose e thënë ndryshe 1 % e prodhimit të brendshëm bruto.

Në total gjatë 2019-s, periudha para pandemisë, në Shqipëri u regjistruan 1498 aksidente me 227 të vdekur.