Aktualitet

Pse “Pipero merr COVID, mbas vaksinës” është titull i rrezikshëm portalesh..

14 ditë pasi mori dozën e parë të vaksinës mjeku Pëllumb Pipero rezulton pozitiv me COVID-19. Pipero ishte në pritje për të marrë dozën e dytë pas pak ditësh atëherë kur ishte planifikuar që të merret doza e dytë për të vaksinuarit e ditës së parë. Testin e ka bërë një ditë më parë, ku ka rezultuar pozitiv, ndërkohë që për një konfirmim do të bëjë sërish tampon pas 72 orësh. Raste të tilla të ngjashme, pra që infektohen me COVID pas marrjes së vaksinës, janë regjistruar edhe në shtetet e tjera të botës.

Por si është e mundur kjo?

Në fakt, studimet fillestare mbi COVID-19 tregojnë një rënie të ndjeshme të infeksioneve dhe shtrimeve në spital pas vetëm një doze, dhe shumë pak raste pas dy. Izraeli, në vaksinimin e popullatës së tij kundër koronavirusit, ka prodhuar disa lajme inkurajuese. Rezultatet tregojnë një rënie të ndjeshme të infeksionit pas vetëm një vaksine me dy doza, dhe rezultate më të mira se sa pritej pas të dyja dozave.

Ekspertët e shëndetit publik paralajmërojnë se të dhënat, të bazuara në vaksinën “Pfizer-BioNTech”, janë paraprake. Në raportin e parë, Clalit, fondi më i madh shëndetësor i Izraelit, krahasoi mbi 200 mijë njerëz të moshës 60-vjeç e lart që morën një dozë të parë të vaksinës me një grup të krahasuar prej 200,000 që nuk ishin vaksinuar ende. Pacientët e vaksinuar pjesërisht kishin 33% më pak të ngjarë të infektoheshin.

Ministria e Shëndetësisë Izraelite lëshoi të dhëna të reja se për njerëzit që kishin marrë të dyja dozat e vaksinës, vetëm 20 nga afërsisht 128,600 njerëz, ishin infektuar me virusin. Kur sistemi imunitar ndeshet për herë të parë me një vaksinë, ai aktivizon dy lloje të rëndësishëm të qelizave të bardha të gjakut, qelizat B të plazmës, të cilat kryesisht përqendrohen në krijimin e antitrupave dhe qelizat T, që janë të përshtatura posaçërisht për të identifikuar një patogjen të veçantë dhe për ta vrarë atë.

Disa nga këto qeliza T të kujtesës, janë në gjendje të qëndrojnë në trup për dekada që do të thotë imuniteti nga vaksinat ose infeksionet ndonjëherë mund të zgjasë një jetë të tërë. Ndërkaq, në provat klinike vaksina “Pfizer” rezultoi 95% efektive pas dy dozave. Zyrtarët shëndetësorë thonë që edhe pasi të vaksinoheni kundër COVID-19, ju duhet të qëndroni larg turmave, të vazhdoni të mbani maskën në publik, distancën nga njerëzit si dhe të lani shpesh duart. Gjithashtu, “Moderna” raportoi një normë mbrojtjeje prej 51% dy javë pas dozës së parë dhe 94% dy javë pas dozës së dytë.

Por a mund ta përhapni virusin tek të tjerët edhe nëse jeni plotësisht të vaksinuar? Për ekspertët e shëndetit publik, mungesa e njohurive do të thotë që ju duhet të veproni sikur përgjigjja është po.

Shqetësimi me vaksinën COVID-19 ka të bëjë edhe me atë nëse mund të keni akoma një infeksion asimptomatik pavarësisht nga imunizimi, pra të jeni në gjendje të përhapni virusin. Sistemi juaj imunitar mund të mos luftojë plotësisht kundër virusit. Ai mund të lejojë që disa viruse të mbijetojnë, të riprodhohen dhe të dalin nga hunda ose goja në një frymë, kollitje ose teshtimë.

Mos harroni: Askush nuk mund të jetë i sigurt akoma nëse kjo në të vërtetë ndodh ose nëse ndodh shpesh aq sa të lëshoni mjaftueshëm virusin aktiv për të sëmurur dikë tjetër.