Ditën e djeshme është publikuar traileri zyrtar i serialit “And Just Like That” së bashku me posterin e parë zyrtar, i cili është vazhdimi i “Sex And The City”. Titulli i klipit prej 1 minute e 42 sekondash, është “Një kapitull i ri i “Sex and The City” dhe hapet me një pamje nga peizazhi i qytetit të New York-ut. Zonjat shihen të gjitha së bashku, të zhurmshme dhe duket se po argëtohen pasi ato janë shoqe më të ngushta se kurrë pas gjithë këtyre dekadave. Mikeshat presin në një restorant luksoz dhe Carrie thotë nën zë:
Sa më shumë jetoj, aq më shumë kuptova se nëse keni miq të mirë në krahun tuaj, gjithçka është e mundur. E ardhmja është e pashkruar sepse të gjithë jemi në skena të ndryshme në jetën tonë.
Zoti Big, i luajtur nga Chris Noth, është në kuzhinë ndërsa hap një shishe verë dhe i buzëqesh me dashuri gruas së tij. Carrie mban një gotë verë trëndafili, duke flirtuar me bashkëshortin e saj dhe më pas ata ndajnë një puthje pasionante.
Data e debutimit për serialin u nda gjithashtu. Shfaqja do të nisë në “HBOMax” dhe “Sky Comedy” më 9 dhjetor dhe do të ketë gjithsej 10 episode të “And Just Like That”. Pjesë e serialit do të jenë edhe aktorët Bridget Moynahan, Evan Handler, Sara Ramirez, Sarita Choudhury, Karen Pittman, Mario Cantone, David Eigenberg dhe Nicole Ari Parker. Gjithashtu në trailer u pa edhe i ndjeri Willie Garson i cili ndërroi jetë në muajin shtator.
Seriali origjinal “Sex and the City” u shfaq në ‘HBO’ nga viti 1998 deri në 2004 dhe u krijua nga Darren Star, bazuar në librin me të njëjtin titull nga Candace Bushnell. Ky serial përshkruante historitë e katër grave teksa përjetuan ulje-ngritjet e dashurisë, karrierës dhe miqësisë në të 30-at e tyre.