Rajoni

Publikoi video të pacienteve të Gjinekologjisë, arrestohet anestezisti në Tetovë!

Në Maqedoninë e Veriut vihet në pranga anestezisti i Spitalit të Tetovës, i cili në rrjetet sociale publikoi imazhe nga vizitat në Repartin e Gjinekologjisë. Prangosja e tij u bë nga policia pak pas mesnate për shkak se videot i kishte hedhur në TikTok.   Arrestimi i mjekut pasoi denoncimin e drejtorit të Spitalit Klinik të Tetovës, Pëllumb Vela, i cili reagoi ashpër duke e quajtur publikimin e videos “jo të pranueshme”.

Ky veprim për ne nuk është i kuptueshëm. Ne dënojmë çdo sjellje joprofesionale të stafit mjekësor ndaj pacientëve.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut, anestezisti me iniciale (V.D) 43 vjeç u ndalua në fshatin Odër të Tetovës. Lidhur me rastin u njoftua edhe prokurori publik e pas dokumentimit të tij do të merren masat e duhura.

Oda e Mjekëve e Maqedonisë së Veriut po ashtu e dënoi ashpër incidentin me anestezistin dhe kërkoi marrjen e masave urgjente nga institucionet përkatëse. Në një reagim thuhet:

Kërkesa për respektimin e të drejtave personale nis nga respektimi i të drejtave të të tjerëve, në këtë rast të të drejtave të pacientëve. Në një kohë sa më të shkurtër do të thirren organet e Odës për shqyrtimin e rastit dhe marrjen e veprimeve e të masave. Mjekët janë të detyruar që ta kryejnë profesionin e tyre me ndërgjegje dhe përgjegjësi, të respektojnë dinjitetin njerëzor e të drejtat e të sëmurëve, si dhe të ruajnë besimin e tyre.

Ky rast ka shkaktuar reagime të shumta në opinionin publik në Maqedoninë e Veriut, pasi qytetarët kanë kërkuar masa nga më urgjentet nga institucionet përkatëse, por edhe të tjera masa për parandalimin e publikimeve të tilla që cënojnë privatësinë e njerëzve.