Politikë

“Puna do vazhdojë në çdo lagje”, Veliaj në turin falënderues në Tiranë ndalet në Astir

Erion Veliaj u ndal në Astir për të falenderuar banorët që i besuan Partisë Socialiste për të vazhduar drejtimin e Bashkisë së Tiranës.

Në turin falenderues, kryebashkiaku tregoi mirënjohjen për votuesit edhe u premtoi se puna do të vijojë pa dallim në çdo lagje të kryeqytetit.

“Edhe kur bëjmë fushatë jemi ndryshe, edhe kur bëjmë falenderimet jemi ndryshe. Në nuk kërkojmë fajtorin. Ju thosha kur ishim në fushatë që ata ishin si Big Brother: Kë do njxerim nga shtëpia. Edhe ne ishim në fushatë si Big Brother po ne thoshim kush do futet në shtëpi. Tani që ka mbaruar fushata ne themi kë do falenderojmë, ata në televizione: Kë do mallkojmë. Janë në dy filozofi të ndryshme, ndaj edhe forca jonë punon, ndaj edhe forca jonë bashkon, ndaj edhe forca jonë e çon Tiranën përpara sepse jemi në këtë mentalitet”, tha Veliaj.

Në mandatin e tretë të tij, Veliaj shpreh sigurinë se do të vijojnë investimet për infrastrukturën rrugore si dhe atë arsimore. Si shembull të zhvillimit të zonës ai mori çerdhen e parë që u hap në Astir.

“Ne filluam me çerdhen e parë por do të vazhdojmë tani me shkollat e reja. Ne kemi bërë autostradën, kemi bërë Unazën, kemi bërë aksin kryesor të bulevardit Migjeni, po kemi pafund xhepa për të bërë. Parimi është kush mund të bëjë 99 punë mund të bëjë edhe 100 punë. Ju jam shumë mirënjohës dhe mezi pres që katër vitet e ardhshme të bëjmë gjithçka që do transformojë tërësisht këtë njësi”, tha Veliaj.

Pavarësisht ngjyrimeve politike, sipas Veliajt, shërbimet publike do të jenë njësoj për të gjithë.