Aktualitet

Punimet për Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës, merr formë pista!

Kryeministri Edi Rama sjell pamjen e pistës së Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, që tashmë ka marrë formë. Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës është një nga veprat më të mëdha, të projektuara për të akomoduar të gjitha fluturimet kudo në botë e gjithashtu ato transoqeanike, që deri më sot nuk janë ofruar nga vendi ynë. Kjo për shkak të pistës jo të përshtatshme në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” të Rinasit.

Shefi i qeverisë vë në dukje se “Pista e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës ka marrë formën e saj”. Në kantierin e Aeroportit të Vlorës, kryesisht puna është dedikuar për krijimin e “dyshemesë” së aeroportit.

Sipas të dhënave të projektit, aeroporti do të shtrihet në një sipërfaqe prej 297 hektarësh. Nga këto, 16 mijë m2 do të jenë për zonën e terminalit të pasagjerëve. Parkingu i avionëve do të ketë në dispozicion 46 mijë e 690 m2, nga të cilat 32 mijë m2 planifikohen për pozicionet e avionëve (12 vendqëndrime). Dy mijë m2 pritet të jetë sipërfaqja e shërbimit zjarrëfikës.

Kategoria e aeroportit do të jetë 4E, që do të thotë se plotëson kushtet për avionë të mëdhenj. Me një vlerë investimi prej 104 milion eurosh, në periudhën dy-vjeçare të fazës së parë do të ndërtohet godina e aeroportit, krahas pistës. Ndërkaq, në fazën e dytë, në katër vitet e para do të zhvillohet infrastruktura suplementare e biznesit dhe turizmit e që arrijnë vlerën e investimeve në miliona euro.

Aeroporti i Vlorës do të presë udhëtime direkte edhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky investim pritet që të hapë një mijë vende pune të reja e po ashtu do të ulë çmimet e biletave për shqiptarët e ta kthejë Vlorën në portën më të rëndësishme turistike të rajonit. Punimet për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës nisën në nëntor të vitit të kaluar dhe tani ka marrë formë pista e tij.