Bota

Punonte si picajol në Francë, arrestohet pas 17 vitesh vrasësi gjakftohtë i “Ndranghetas”

Policia franceze ka vënë në pranga një tjetër anëtar të “Ndranghetas”. Bëhet fjalë për Edgardo Greco, i cili ishte në arrati që nga viti 2006 për një vrasje të dyfishtë të ndodhur në Cozenza në vitin 1991, për të cilën u dënua me burgim të përjetshëm.

Për të paktën tre vjet ai kishte qenë prodhues picash në një restorant në qytetin e Saint Ettiene në Francë, ku ishte vendosur që nga viti 2014. Ndaj tij ishte në pritje një urdhër-arresti evropian i lëshuar nga Prokurori i Përgjithshëm i Catanzaro.

Greco u identifikua dhe u arrestua nga ushtarët e Departamentit të Operacioneve të Kozencës si pjesë e një aktiviteti hetimor të koordinuar nga Drejtoria Antimafia e Qarkut Catanzaro.

Vrasja e dyfishtë për të cilën Greco ishte në kërkim është ajo e vëllezërve Stefano dhe Giuseppe Bartolomeo, të vrarë në Kozencë më 5 janar 1991. Vëllezërit Bartolomeo u masakruan duke u goditur me tub hekuri brenda një tregu peshku. Trupat e tyre, të zhdukur në atë kohë, nuk janë gjetur kurrë.

Greco akuzohet gjithashtu për tentativën e vrasjes së Emiliano Mosciaros, e cila gjithashtu ndodhi në Cozenza më 21 korrik 1991. Si vrasja e dyfishtë, ashtu edhe tentativa për vrasje të akuzuar ndaj Grekos, janë pjesë e “luftës mafioze” që shpërtheu në fillim të viteve 1990 në Kozencë midis bandave “Pino-Sena” dhe “Perna-Pranno”.