Aktualitet

Pushimi i 25 majit në Tiranë për Conference League nuk përjashton institucionet arsimore publike e private!

Një ditë pasi qeveria shqiptare vendosi që 25 maji, dita e finales së Conference League-s, Roma-Feyenoord në Stadiumin “Air Albania” të jetë pushim për të gjitha institucionet publike në Tiranë, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, njoftoi sot se pushimi vlen edhe “për të gjitha institucionet arsimore publike e private”.

Referuar vendimit të qeverisë për shpalljen e datës 25 maj ditë pushimi për qarkun e Tiranës, në kuadër të masave të marra për finalen e Conference League, ju njoftoj se të gjitha institucionet arsimore publike dhe private (përfshirë kopshtet, shkollat, universitetet, zyrat arsimore, etj.), do të jenë pushim. Le të jemi të gjithë pjesë e kësaj ngjarjeje të madhe e të mirëpresim vizitorët nga e gjithë Europa!

Të mërkurën e ardhme, nuk do të lejohet as qarkullimi i automjeteve në kryeqytet. Një ditë më parë, ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi tha se “25 maji ditë pushimi merret si masë për organizimin në mënyrë sa më shembullore të finales së Conference League-s”.

Do të jetë një ditë pa makina, përveç urgjencave. Të gjitha akset hyrëse në Tiranë do të bllokohen deri në orën 18:00 pasdite.

Përmes zv.drejtorit të Përgjithshëm, Albert Dervishaj, dy ditë më parë, Policia e Shtetit publikoi masat që do të “blindojnë” kryeqytetin javën e ardhshme. Tifozët e Romës do të grumbullohen te Amfiteatri, të Feyenoord-it, te Pedonalja. Qytetarëve iu kërkohet të reduktojnë lëvizjen me automjete në datat 24 dhe 25 maj, që të shmanget trafiku. Të martën e ardhshme, bllokohet Bulevardi, nga Stadiumi “Air Albania” te Sheshi Skënderbej.