Bota

Pushtimi rus i Ukrainës, presidenti Biden në Europë më 24 mars!

Tashmë u vendos që presidenti amerikan, Joe Biden të udhëtojë drejt Europës javën e ardhshme për të biseduar me udhëheqësit europianë rreth pushtimit rus të Ukrainës, që nisi më 24 shkurt, me urdhër të presidentit të Rusisë, Vladimir Putin. Lajmin e konfirmoi Sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki.

Mësohet se presidenti Biden do të takohet me udhëheqësit e NATO-s dhe të Bashkimit Europian në një samit të planifikuar në Bruksel, më 24 mars. Më tej, kreu i Shtëpisë së Bardhë pritet të ndjekë një takim, po ashtu të planifikuar të Këshillit Europian, ku po bëhen përpjekje për të vendosur sanksione të mëtejshme ndaj Rusisë, si dhe për ndihma humanitare për Ukrainën.

Jen Psaki deklaroi:

Gjatë kohës që do të jetë atje, qëllimi i presidentit Biden është të takohet drejtpërdrejtë me homologët e tij europianë dhe të bisedojë e të vlerësojë gjendjen në këtë pikë të konfliktit ndërsa Rusia sulmon Ukrainën. Kemi patur qëndrime jashtëzakonisht të harmonizuara deri më tani. Kjo nuk ndodh rastësisht. Presidenti beson së tepërmi tek diplomacia kokë më kokë. Pra, kjo është një mundësi për të bërë pikërisht këtë gjë!

Udhëtimi i Biden-it pason vizitën javën e kaluar të numrit dy të Shtëpisë së Bardhë, Kamala Harris në vendet e krahut lindor të NATO-s, Poloni dhe Rumani, për të diskutuar me zyrtarët lidhur me krizën në rritje të refugjatëve në Europën Lindore, të shkaktuar nga sulmi i Rusisë. Po ashtu, për të nënvizuar mbështetjen e administratës së presidentit amerikan Biden për vendet e NATO-s.

Për rindërtimin e Ukrainës pas pushtimit rus do të duhen mbi 500 miliard dollarë. Vlerësimi paraprak jepet nga kryeministri ukrainas, Denis Shmygal. Shefi i qeverisë së Kievit, iu bëri të ditur homologëve të Polonisë, Sllovenisë e Republikës Çeke se Bashkimi Europian po jep ndihmë të rëndësishme dhe pret që të vazhdojë ajo financiare për rindërtimin e Ukrainës.