Lifestyle Love & Sex

Putheni shpesh apo rrallë me partnerin/en?! Ndoshta ka ardhur koha të mësoni se çfarë tregon kjo për lidhjen tuaj!

Puthja është e mirë për shëndetin. Sipas disa studiuesve, gratë që puthen shpesh, humbasin peshë shpejt. Ky akt është një kurë e vërtetë për shëndetin tonë. Në fakt, kjo mund të sjellë disa përfitime si fizikisht ashtu edhe mendërisht për të gjithë ne. Sipas disa shkencëtarëve procesi i puthjes djeg dhjamin si pasojë e kalorive që harxhohen në këtë gjë që etiketohet si një aktivitet fizik normal.

Puthjet e thjeshta mund të djegin nga 2-3 kalori, ndërsa ata që puthin me pasion mund të djegin nga 5 në 26 kalori në minutë. Këto mund të duken vetëm si numra derisa ato të krahasohen me aktivitete praktike. Përshembull, 30 minuta puthje të pasionuara mund të djegin deri në 180 kalori, ekuivalenti i 30 minutave ecje të lehtë. Nuk po flasim për zëvendësimin e aktivitetit fizik me puthje, por ne mund të themi me siguri se e puthura ndonjëherë mund të jetë më e këndshme se çdo aktivitet tjetër fizik.

Por, sa shpesh e puthni partnerin/en tuaj? Sipas një studimi të ri, përgjigja juaj ndaj këtyre pyetjeve mund të jetë një sinjal se sa të kënaqur jeni seksualisht dhe në marrëdhënien tuaj në përgjithësi. Në një studim të ri, të botuar së fundmi në “Journal of Sex & Marital Therapy”, studiuesit ishin të fokusuar në dy lloje puthjesh: 1) puthje specifike (puthje që ka ndodhur gjatë momentit më të fundit seksual) dhe 2) puthje globale (puthja me kalimin e kohës në një marrëdhënie), të cilat mund të parashikojnë nivelin e kënaqësisë seksuale dhe marrëdhënies së çiftit.

Mostra e tyre përbëhej nga 878 pjesëmarrës (433 burra dhe 445 gra) të cilët ishin mbi moshën 18-vjeç dhe në marrëdhënie të paktën 2 vjet. Pjesa dërrmuese e pjesëmarrësve (75%) ishin të martuar, 16% ishin ekskluzivisht me dikë dhe 9% ishin të fejuar. Një shumicë e vogël (52.6%) e grave u identifikuan si ekskluzivisht heteroseksuale dhe shumica (62.5%) e burrave u identifikuan si ekskluzivisht heteroseksualë.

Autorët u kërkuan pjesëmarrësve t’u përgjigjeshin pyetjeve të mëposhtme:

– Gjatë përvojës suaj të fundit seksuale me partnerin, sa u puthët në buzë? Përgjigjet ishin nga 1 = “asnjë” deri në 5 = “disa herë”)

– Gjatë vitit të kaluar, sa shpesh e keni puthur partnerin tuaj? Përgjigjet varionin nga 1 në 7, ku 1 = “kurrë” dhe 7 = “më shumë se një herë në ditë”.

Autorët gjithashtu i bënë pjesëmarrësve pyetje në lidhje me a) qëndrueshmërinë e orgazmës, b) frekuencën seksuale, c) kënaqësinë dhe pakënaqësinë seksuale, dhe d) kënaqësinë dhe pakënaqësinë në marrëdhënie. Ata kontrolluan statusin e marrëdhënies, racën, orientimin seksual, kohëzgjatjen e marrëdhënies dhe të ardhurat.

Shumica e të anketuarve raportuan se kishte patur puthje gjatë aktit të fundit seksual në një shkallë 3.5-4 nga 5 që ishte maksimalja. Pyetja tjetër kishte një përgjigje mesatare nivelin numër 6. Për gratë dhe burrat, shpeshtësia e “puthjeve specifike”, u zbulua se kishte një efekt domethënës dhe të drejtpërdrejtë në qëndrueshmërinë e orgazmës, frekuencën seksuale dhe kënaqësinë seksuale. Edhe puthje e tjera kanë një efekt në kënaqësinë e lidhjes.

Sa i përket dallimeve gjinore, qëndrueshmëria e orgazmës së grave dhe kënaqësia seksuale u ndikuan më shumë nga puthjet specifike (puthjet gjatë aktit të tyre të fundit seksual). Sidoqoftë, për burrat, masa globale e puthjes (sa shpesh ata raportonin se e puthnin partnerin e tyre në përgjithësi) ishte më e lidhur me kënaqësinë seksuale dhe marrëdhënien në përgjithësi.

Gjetjet nga ky studim sugjerojnë se puthja është një parashikues i rëndësishëm i kënaqësisë seksuale dhe marrëdhënieve për burrat dhe gratë në marrëdhënie afatgjata. Puthjet gjithashtu lehtësojnë stresin duke reduktuar nivelet e kortizolit, një hormon i lidhur me stresin. Hulumtuesit kanë treguar se ky aktivitet rrit nivelet e kimikateve natyrore në trupin tonë, si oksitocina (një agjent i natyrshëm qetësues) dhe endorfina (kimikatet që na bëjnë të ndihemi të lumtur). Nga pikëpamja e higjienës dentare, nga ana tjetër, puthja rrit prodhimin e pështymës që natyrisht pastron bakteret dhe sipas disa dentistëve, madje mund të riparojë dëmtime të vogla të smaltit.