Sipas Presidentit Vladimir Putin, Rusia dëshiron që Kamala Harris të fitojë zgjedhjet presidenciale në SHBA. Putin përmendi edhe të qeshurën e saj “ngjitëse” si një arsye për ta preferuar atë para Donald Trump.
Putin e bëri vërejtjen ironike një ditë pasi Departamenti i Drejtësisë i SHBA akuzoi dy drejtues të mediave ruse për një skemë të dyshuar të paligjshme për të ndikuar në zgjedhjet e nëntorit me propagandë pro-ruse.
Përpara se presidenti Joe Biden të tërhiqej nga gara, Putini kishte thënë në fillim të këtij viti – në një koment tjetër që shihet gjerësisht si ironik- se ai preferonte Bidenin mbi Trumpin sepse i pari ishte një politikan më i parashikueshëm i “shkollës së vjetër”.
Agjencitë e inteligjencës amerikane besojnë se Moska në të vërtetë dëshiron që Trump të fitojë, sepse ai është më pak i përkushtuar për të mbështetur Ukrainën në luftën kundër Rusisë.
I pyetur se si i shikon ai zgjedhjet tani, Putin tha në një forum ekonomik në lindjen e largët të Rusisë se ishte zgjedhja e popullit amerikan.
Por më pas ai shtoi se ashtu siç Biden u kishte rekomanduar mbështetësve të tij të mbështesin Harrisin, “ne do të bëjmë të njëjtën gjë, ne do ta mbështesim atë”.
Putin dhe moderatori buzëqeshën, teksa batura shkaktoi duartrokitjet nga publiku. Duke zgjeruar pikëpamjen e tij për Harris, Putin tha: “Ajo qesh në mënyrë aq ekspresive dhe ngjitëse sa do të thotë se gjithçka është në rregull me të”.