Bota

Putin: Me Kinën nuk po krijojmë aleancë ushtarake!

“Rusia dhe Kina nuk po krijojnë një aleancë ushtarake e nuk po fshehin gjë, sa i përket bashkëpunimit ushtarak”. Kjo theksohet nga shefi i Kremlinit,  Vladimir Putin në një intervistë të transmetuar sot nga televizioni shtetëror rus.

Ne nuk po krijojmë ndonjë aleancë ushtrake me Kinën. Po, ne kemi bashkëpunim në sferën e ndërveprimit ushtarako-teknik. Ne nuk e fshehim këtë, gjithçka është transparente dhe nuk ka asnjë sekret.

Për presidentin rus, “fuqitë perëndimore po tentojnë të krijojnë më shumë aleanca globale”. Shtetet e Bashkuara të Amerikës e NATO-n i akuzon se kanë nisur të ndërtojnë një “bosht” të ri, që sipas tij “ka disa ngjashmëri me aleancën e Gjermanisë, Italisë e Japonisë në Luftën e Dytë Botërore”.

Prandaj analistët perëndimorë…. po flasin lidhur me atë se Perëndimi po nis të ndërtojë një bosht të ri, të ngjashëm me atë që u krijua në vitet ‘30 nga regjimet naziste e fashiste të Gjermanisë dhe Italisë, në bashkëpunim me atë ushtarak të Japonisë.

Në fillim të kësaj jave, presidenti kinez, Xi Jinping zhvilloi një vizitë tre-ditore në Moskë dhe që u ndoq me shumë interes në Perëndim. Xi e Putin vunë në dukje se dy shtetet e tyre kanë miqësi dhe u zotuan për lidhje më të ngushta. Prania në kryeqytetin rus e numrit një të vendit të madh aziatik përkoi me kohën kur Rusia po përpiqet të shënojë fitore në atë që e quan “operacion i posaçëm ushtarak për çmilitarizimin e Ukrainës” e që vazhdon prej 24 shkurtit 2022.

Me urdhër të Putinit, forcat ruse nisën pushtimin e paprovokuar të Ukrainës. Kohët e fundit, Amerika ka paralajmëruar se Kina mund t’i ofrojë armë Rusisë, gjë që është mohuar nga Pekini.

Shteti aziatik nuk e ka dënuar pushtimin rus të Ukrainës dhe po nxjerr një plan me 12 pika për luftën atje, duke argumentuar se dëshiron që konflikti të zgjidhet përmes dialogut.