Bota

Putin: Nuk shoh nevojë për bisedime me Biden!

“Nuk shoh nevojë për bisedime” me presidentin amerikan, Joe Biden. Kështu deklaroi presidenti rus, Vladimir Putin, në një konferencë për shtyp nga Astana. Presidenti rus, gjatë samitit euroaziatik konfirmoi gjithashtu se Rusia është e hapur ndaj perspektivës së bisedimeve me Ukrainën.

“Federata Ruse ka qenë gjithmonë e hapur për negociata nëse Kievi është gati”, por “pasi tërhoqëm trupat tona nga rajoni i Kievit, ukrainasit u tërhoqën nga tryeza e bisedimeve”. Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan , shtoi Putin, “është një ndërmjetës i rëndësishëm” dhe me të “dje biseduam se si të çojmë grurin në vendet më të varfra”, si pjesë e marrëveshjes së arritur në korrik në Stamboll.

Udhëheqësi i Kremlinit donte gjithashtu të falënderonte Erdoganin për rolin e tij ndërmjetësues në “shkëmbimin e të burgosurve”.

Putin deklaroi gjithashtu se mobilizimi i pjesshëm do të përfundojë së shpejti, brenda dy javësh.

“Janë mobilizuar 222 mijë rezervistë nga 300 mijë”, saktësoi Putin, duke nënvizuar se “duhet përmirësuar cilësia e mobilizimit” dhe “të gjithë të mobilizuarit duhet të trajnohen”. “Qëllimi ynë nuk është të shkatërrojmë Ukrainën,” tha presidenti rus kur u pyet nëse Ukraina mund të ekzistojë si shtet.