Shtëpia e Bardhë i ka bërë thirrje presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, të mos ndërhyjë më në zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara, pasi ai shprehu mbështetjen e tij për nënpresidenten amerikane, Kamala Harris.
“Të vetmit njerëz që pritet të përcaktojnë se kush do të jetë presidenti i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara janë populli amerikan dhe ne do ta vlerësonim shumë nëse zoti Putin do të ndalonte së foluri për zgjedhjet tona dhe do të ndalonte ndërhyrjen,” tha zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby.
“Putin duhet të ndalojë së foluri për zgjedhjet tona, pikë. Ai nuk duhet të favorizojë askënd në një mënyrë apo tjetrën ,” tha Kirby.
Sipas Presidentit Vladimir Putin, Rusia dëshiron që Kamala Harris të fitojë zgjedhjet presidenciale në SHBA. Putin përmendi edhe të qeshurën e saj “ngjitëse” si një arsye për ta preferuar atë para Donald Trump.
Putin e bëri vërejtjen ironike një ditë pasi Departamenti i Drejtësisë i SHBA akuzoi dy drejtues të mediave ruse për një skemë të dyshuar të paligjshme për të ndikuar në zgjedhjet e nëntorit me propagandë pro-ruse.
Përpara se presidenti Joe Biden të tërhiqej nga gara, Putini kishte thënë në fillim të këtij viti – në një koment tjetër që shihet gjerësisht si ironik- se ai preferonte Bidenin mbi Trumpin sepse i pari ishte një politikan më i parashikueshëm i “shkollës së vjetër”.
Agjencitë e inteligjencës amerikane besojnë se Moska në të vërtetë dëshiron që Trump të fitojë, sepse ai është më pak i përkushtuar për të mbështetur Ukrainën në luftën kundër Rusisë.