Bota Botë e Çuditshme

Qentë, macet e divorcet, ligj i ri në Spanjë për të vendosur mbi kujdestarinë e tyre!

Spanja kthehet në vend shembullor për mbrojtjen e të drejtave të kafshëve. Autoritetet spanjolle miratuan ligjin që modifikon Kodin Civil, duke ndryshuar natyrën ligjore për macet, qentë e kafshë të tjera shtëpiake.

Ato do të gëzojnë mbrojtje e jo vetëm për t’i shpëtuar nga abuzimet e mundshme, por gjithashtu për t’i caktuar kujdestarinë në rast se pronarët e tyre divorcohen.

Në rast divorci

Një prej aspekteve më interesantë është pikërisht puna e kujdestarisë kur pronarët e kafshëve divorcohen me vendim gjykate ose thjesht i japin fund bashkëjetesës. Në brendësi të marrëveshjes mes një çifti që ndan rrugët duhet të jetë e specifikuar mirë pjesa se kush do të kujdeset për kafshën apo kafshët që kanë jetuar me ta.

Po ashtu të përcaktohet mbulimi i shpenzimeve financiare të kafshës e kriteret e kujdestarisë së përbashkët.  Në rast se palët dështojnë të arrijnë marrëveshje ose e kanë të vështirë të gjejnë gjuhën e përbashkët do t’i takojë një gjyqtari të ndërhyjë e të vendosë, sigurisht duke patur prioritet mirëqenien e kafshës.